E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërxhaliu: Mund të ketë varrezë masive në Medvegjë

Dëshmitë e mbledhura nga ekspertët e mjekësisë ligjore në Kosovë hedhin dyshime mbi ekzistencën e një varreze masive në Tupallë të Medvegjës, me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Eksperti Arsim Gërxhaliu deklaroi për Radio Kosovën, se informacioni i deponuar për një varrezë masive sipas incizimit fillestar, ka rezultuar të përputhet me dëshminë, sipas të cilës në këtë vend mund të ketë varrezë masive.

Informacioni i një dëshmitari shqiptar se ka parë duke groposur thasë najloni në Tupallë afër Medvegjës gjatë vitit 1999, mund të çojë në zbulimin e një varreze masive. Ky konkluzion ka dalë pas inspektimit të bërë këtë javë nga ekspertët mjekoligjorë kosovarë dhe ata të EULEX-it.

“Kemi vizituar zonën në Tupallë afër Medvegjës, dhe kjo zonë konsiston plotësisht me informacionin e dhënë nga dëshmitari. Nuk ekziston vegjetacion i vjetër, dhe nga përvoja që kemi, ekzistojnë elemente të bazuara se mund të ketë varrezë masive”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera rreth dëshmisë për varrezën dhe as kohën kur mund të fillojë gërmimi i këtij lokacioni.

Komisionet ndërqeveritare për persona të pagjetur në Serbi dhe Kosovë, kanë paralajmëruar zgjerimin e hartës së lokacioneve të dyshuara për varreza masive. Më 27 prill, Kosova shënoi Ditën e të Pagjeturve, në të cilën familjarët e rreth 1800 personave kërkuan hapa konkretë për zbardhjen e fatit të tyre. /start/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›