E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj regjistron në gjykatë 5 padi për shpifje

30/04/2010 Paditen disa gazeta dhe Goxhaj nga kreu i G99

Kundërpërgjigjet Altin Goxhaj, bën kundërpadi

TIRANË- Gazetat dhe Altin Goxhaj kanë qenë objektivi i Erjon Veliajt, kryetarit të Partisë G99 ditën e djeshme, teksa është paraqitur në gjykatë. Rreth orës 12.00, Veliaj u fut në sekretarinë e gjykatës së Tiranës, dhoma penale dhe depozitoi pesë padi njëherësh. Sipas burimeve të marra nga gjykata dhe deklarimeve nga vet Erjon Veliaj, mësohet se ka paditur gazetën “RD”, “55”, gazetën “Standard” , gazetën “Sot” dhe Altin Goxhaj, drejtuesin e OJQ-së për mbrojtjen e konsumatorëve. Sipas Veliajt, këto subjekte kanë kohë që përmendin emrin e tij dhe të vëllait për marrje të parave nga donatorë të ndryshëm dhe kalimin më pas në emrin e tyre. I pari sipas Veliajt që ka bërë këtë akuzë të rëndë është Altin Goxhaj, i cili ka depozituar në Prokurori edhe një kallëzim penal. Kryetari i partisë së re “G99”, u shpreh se ka kundërshtuar me forcë, akuzat dhe nga gjykata kërkon vendosjen e dinjitetit, të nëpërkëmbur. Të gjitha subjektet i ka paditur për shpifje të qëllimshme dhe prishje të imazhit publik. Erjon Veliaj u fut në gjykatë i ndjekur nga kamerat. Ai u shpreh se ka kundërshtuar edhe kallëzimin penal që ka depozituar në prokurori Altin Goxhaj. Sipas tij, shpifjet e Goxhaj janë dashakeqe dhe të qëllimshme. Në paditë e depozituara kërkon të shqyrtohen kërkesat e tij për shpifjet e pabaza dhe ia ka lënë në dorë gjykatës për dëmin moral. Objekt i padisë kanë qenë edhe katër organe të shtypit të përditshëm. Veliaj është shprehur se kanë abuzuar me emrin e tij dhe me faktet që tashmë dihen. Teksa paraqiti paditë, ai ka të drejtën për të vërtetuar të kundërtën e atyre që kanë deklaruar subjektet në fjalë. Po kështu para gjykatës u lind e drejta edhe palës së paditur të vërtetojë deklaratat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›