E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gezi i Tiranës

xhamiaNga Lavdosh Ferruni

Qytetarët turq ia dolën të ndalojnë prerjen e pemëve në parkun Gezi në Stamboll.

Lajm i mirë ky për mbarë botën demokratike. Lajm i mirë, pa dyshim, edhe për qytetarët e Tiranës.

Por përjetimi i mirë për qytetarët e Tiranës nuk mund të mos përzihet me dhimbjen që Gezi i Tiranës, lulishtja e Namazgjasë, nuk ekziston më.

Ajo u masakrua pikërisht në ato net kur qytetarët e Stambollit i bënë netët ditë për të mos lejuar masakrën mbi parkun Gezi.

Ne si qytetarë të Tiranës nuk na falet që heshtëm, apo thjesht e ngecëm betejën për mbrojtjen e parkut nëpër kafene e më së shumti në ndonjë ekran apo kolonë gazete.

Rasti i Namazgjasë është në një këndvështrim edhe më flagrant se rasti i parkut Gezi në Stamboll, pasi atje ishte një plan, kurse për Namazgjanë nuk ka një plan.

Ajo që është servirur, është një skicë e modeluar në kompjuter e një xhamie, që kish për qëllim të shmangte debatin dhe të krijonte terren të qetë për masakrën e prerjes së pemëve e më pas, siç po del, të derdhjes së mijëra m3 beton aty për ndërtime gradaçelash ose ndërtime miks, duke përfshirë ndoshta dhe një xhami.

Themi ndoshta xhami, mbasi pas një diskutimi të munguar me besimtarët myslimanë, por dhe me gjithë qytetarët e Tiranës, mund të mos pranohet vendi, arkitektura, disharmonia urbanistike, afërsia e xhamisë me ndërtesat e banimit dhe me vetë parlamentin, si dhe kostoja e ndërtimit të saj mund të jetë e papërballueshme.

Edhe pse kemi një ndoshta të stërmadhe, kryebashkiaku i Tiranës dhe kryeministri në detyrë i vendit ia dolën (ndryshe nga Erdogani, që nuk ia doli dot) ti presin pemët dhjetëravjeçare të Gezi-t të Tiranës, ashtu siç ia dolën të presin dhjetëra pemë të tjera tek Rruga e Elbasanit duke tharë kështu çdo vit nga një oaz oksigjeni në Tiranë.

E humbëm edhe lulishten e Namazgjas. Ajo që na mbetet është të ruajmë dinjitetin e qytetarinë tonë. Le të flasin qytetarët. Le të shkojmë në referendum për Gezi-n e Tiranës, siç duket se po bëjnë banorët e Stambollit për Gezi-n e famshëm.

Vetë autoritetet e pushtetit në Turqi janë shprehur: Ne nuk do të ndërmarrin ndonjë hap derisa procesi gjyqësor të ketë mbaruar. Edhe nëse vendimi i hap rrugën projektit, qeveria do të mbajë një referendum për të ditur se çfarë duan banorët.

E nëse referendumi ynë e rrëzon planin e Bashës si për Namazgjanë (por dhe për të gjithë Planin Rregullues të Tiranës), ne do të mund ta rilindim Namazgjanë.

Të parët në këtë proces rilindje duhet të jenë vetë qytetarët, besimtarë myslimanë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›