Përparësitë e Bashës dhe fati i PD-së
Ka disa arsye bazike përse Lulëzim Basha, edhe formalisht, do ta fitonte garën me Sokol Olldashin brenda PD-së, edhe sikur Sali Berisha të lejonte garën. Arsyet kanë të bëjnë jo vetëm me profilin e tij si politikan ilustrativ, pra si një politikan që thjesht ilustron si aktor nevojat politike të Berishës për tetë vite, por dhe si një begraund i rëndë dhe i kriminalizuar, i cili nuk është aq i lirë të bëjë çfarë të dojë me të ardhmen e tij dhe të partisë së tij.
Le ti marrim me radhë. Së pari, Basha ka leje të shtiret si disident i Familjes. Dy vjet më parë, kur Basha kandidonte për Bashkinë e Tiranës, gjithë rrethi i afërt i tij që i bënte marrëdhëniet publike, dhe mendo që në zyrë kishte nga mëngjesi në darkë Shkëlzenin, qarkullonin idenë se Basha duhet votuar se pastaj do dalë kundër Berishës. Pra, për të goditur elektoratin gri, Basha kishte leje të fliste për tradhti ndaj Berishës, edhe pse errej e gdhihej me të birin e të bijën e tij. Kjo natyrisht që nuk ngjiste tek ata që nuk e njihnin, por nuk është se nuk përtypej tek një pjesë e madhe e elektoratit të lodhur me surratin e Sali Berishës.
Po kështu ai kishte leje të adoptonte standarde dyfishe me kundërshtarët e Berishës në PD. Ndërsa Berisha sulmoi Bamir Topin duke shpikur dhe një votë të tij pro Ramës në kutinë e 8 majit, Lulëzim Basha bashkëpunoi ngushtë së paku me njerëzit e tij në Tiranë, dhe është i pari kandidat i PD-së në Tiranë që mori votat e tironsve të vjetër. Ato vota nuk i kishte marrë më parë as Olldashi, as Ngjela dhe as Mustafaj. Basha arriti ti marrë duke përçuar idenë se ishte mik i Bamir Topit dhe se të dy më vonë do bashkoheshin në PD pasi të ikte Berisha. Aq e vërtetë është kjo sa Basha nuk pati asnjë qëndrim publik kundër Topit, bile pati dhe një qëndrim pozitiv ndaj tij për 21 Janarin, duke ndarë mendim të ndryshëm me Berishën për atë se si Topi u soll më 21 janar. Basha pranoi se Presidenti Topi kish folur me të, dhe ishte ofruar për të qetësuar situatën. Kjo krijoi në të vërtetë një raport personal të butë mes tij dhe Topit, ndryshe nga zhurma që dëgjohej nga autoparlantët e Berishës.
Të njëjtin raport miqësor Basha e ruajti dhe me Mustafajn. Ai arriti ta përdorë ish- ministrin e Jashtëm, kritik me Berishën, si mbështetës të tij brenda PD-së dhe mori urimet e tij edhe pse u zgjodh në mënyrë të shëmtuar kryetar Bashkie i Tiranës. Neveria që Mustafaj kishte për garniturën e Berishës në PD, dhe nevoja për tu kapur tek një element me të ardhme në PD, duket se e kishin bërë punën e tyre. Basha kishte leje për të pasur miqësi dhe me të. Ndryshe nga Olldashi, që është përdorur si skifter në PD kundër zërave kritikë me Berishën, Basha nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Ai ka pasur garancitë e Berishës për të qenë fytyra e qeshur e partisë dhe i mirë me të gjithë. Aq ekstreme është kjo, sa më kujtohet shpesh një episod i Fatos Lubonjës që tregonte se si kish takuar në vitin 2005 Lulëzim Bashën tek paradhoma e Sali Berishës, ndërsa hynte aty për të pranuar detyrën e drejtorit të bordit të RTVSH. Basha i kish shtrënguar dorën dhe i kish thënë me zë të ulët: Mos u dorëzo, mos i hap rrugë. Po u dorëzove ti, morëm fund të gjithë. Lubonja ishte mahnitur nga ky gjest dhe për vite të tëra ruante shijen e një njeriu që bën nga halli çfarë do Berisha, por që në finale, do të dalë një ditë kundër Berishës. Ende nuk e beson se ai njeri e ka mashtruar.
Pra, thelbi i karakterit të tij si politikan, është se ai ilustron atë që duhet në PD, pa e bërë kurrë. Ajo që duhet në PD është të ketë një personalitet anti- Berishë dhe të ringrejë partinë. Basha arrin ta bëjë këtë punë në prapaskenë dhe u ka mbushur mendjen të gjithëve se një ditë do tia kthejë Berishës patkonjtë nga dielli. E ka bërë këtë në zgjedhjet lokale, e ka bërë me gjithë kundërshtarët e Berishës dhe vazhdon ta bëjë dhe në këtë fushatë urgjente. Natyrisht duke lavdëruar publikisht Berishën si Ramiz Alia Enver Hoxhën në kongresin e vazhdimësisë.
Arsyeja e dytë është raporti i Bashës me të majtën. Sokol Olldashi i përket brezit të skifterëve në PD, që kanë fituar popullaritet nga betejat me të majtën. Ai ka qenë kritik i ashpër i Edi Ramës, ka mundur në bastionin e vet Agron Dukën dhe ka mbajtur peshë në debatet publike agresive të pushtetit. Lulëzim Basha është krejt kundërta. Ai ka një sintoni të plotë me Ilir Metën dhe njerëzit e tij në shumicën e re. Është aq i lidhur me të, dhe aq bashkëpunues, sa ka qindra demokratë që i kërkojnë punë dhe nuk i merr në punë në bashki, ndërkohë që ka aty gjithë të punësuarit e LSI. Një nga sekserët e tij më ordinerë, botuesi i gazetës 55, Fahri Balliu, për të shmangur këtë fenomen, ka ngritur dhe akuza publike ndaj Olldashit dhe Bodes si njerëz që nuk sulmohen nga Edi Rama, pikërisht për të fashitur shijen e hidhur që lë në PD raporti i tij me LSI dhe Ilir Metën. Por e parë në plan perspektivë, dhe në pamundësinë e PD-së për tu kthyer ndonjëherë në pushtet, ky është avantazhi i Lulëzim Bashës. Ai është më i besueshëm se kushdo tjetër në PD të thotë dhe të besohet se një ditë do tia prishë mendjen Ilir Metës të shkojë me të. Edhe pse kjo është një utopi, pasi ai mund ta ketë në të ardhmen Ilir Metën armikun e tij kryesor, sërish atij i besohet më shumë se sa Olldashit tek ideja që atë e do një pjesë e së majtës pragmatiste, siç kanë nisur të quhen.
Arsyeja e tretë është mandati në Bashki. Për gati dy vjet, Lulëzim Basha ka thyer gjithë rekordet e kryebashkiakëve të Tiranës duke mos bërë asgjë. Por asgjë fare, përveç atyre luleve që ka parë Tur Zheji të çelin. Ai ka pasur këto dy vjet mbështetjen më të madhe politike, ka pasur komoditetin e të qenit njeri i kryeministrit dhe aleat me një forcë të majtë si LSI. Ja ka rritur ta degradojë Tiranën me shpejtësi sa në çdo dy pallate njëri po shton një kat pa leje. Policia e tij ndërtimore është një repart anekdotik gjobëmbledhësish, që vijnë marrin lekë dhe stimulojnë ndërtimet pa leje. Gjithë Bashkia ka kthyer në dyqan të saj Megatekun, ku blihet çdo gjë, dhe i vetmi qytetar i Tiranës i kënaqur nga kryetari i ri është kunati i vet, që ka bërë ca pare, dhe gruaja e vet, të cilës i shtron dhe rrugën ku merr klubin me qira. Gjithçka tjetër është dështim i plotë. Tani ai ka mbledhur rreth vetes mafien e ndërtimit, një tufë tropojanësh që kanë blerë vila dhe troje në Bllok dhe rrotull tij me shpresë se do të ndërtojnë pallate 22- katësh në qendër të Tiranës. Ata janë sot njerëzit më agresivë në mbrojtje të Bashës, që nuk e diskutojnë fare mandatin e tij për kryetar PD-je. Edhe pse akuzoi Ramën se kish dëmtuar Tiranën duke qenë dhe kryetar i opozitës, vetë po bën me dëshirë të njëjtën gjë
