E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gëzimi i ngushëllimit, Kryqi e lutja, pikat e referimit të misionit të krishterë”

08-07-2013 / Gazeta 55

Papa Françesku në Meshën me seminaristët, novicët e novicet

“Gëzimi i ngushëllimit, kryqi e lutja, janë pikat e referimit të misionit të krishterë”. Kështu u shpreh Papa dje paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit me seminaristët, novicët e novicet si dhe të rinjtë, që janë në kërkim të së njëjtës rrugë, ardhur nga të katër anët e botës. Papa u la një mesazh: “Sa më shumë t’ju thërrasë misioni drejt skutave të jetës, aq më tepër zemra juaj do të jetë e bashkuar me Zemrën e Krishtit, përplot me mëshirë e dashuri”: “Përfaqësoni rininë e Kishës! Nëse Kisha është Vasha e Krishtit, në një farë mënyre ju simbolizoni çastin e fejesës, pranverën e thirrjes, stinën e zbulimit, të vërtetimit, të formimit. E është stinë tejet e bukur, në të cilën hidhni bazat për të ardhmen”.Kështu e hapi homelinë Papa Françesku, në Meshën e sotme. Fjalë të thjeshta. Godasin në shenjë, drejt e në zemrën e këtyre të rinjve, që zgjodhën rrugën e misionit e janë vërtet e ardhmja e Kishës.
Pastaj Papa, duke u mbështetur tek leximet, kujtoi tri pikat kryesore të referimit të misionit të krishterë: gëzimin e ngushëllimit, kryqin, lutjen: “Elementi i parë, gëzimi i ngushëllimit. Izaia Profet i drejtohet një populli, që kaloi periudhën e errët të internimit, kaloi një provë të vështirë; por tani për Jeruzalemin erdhi koha e ngushëllimit: trishtimi e frika duhet t’ia lëshojnë vendin gëzimit: ‘Gëzojuni, pra… ngazëlleni, vezulloni nga gëzimi, thotë Profeti”.
Gëzim, shpjegoi Papa, sepse çdo i krishterë, e posaçërisht ne, jemi të thirrur ta përhapim mesazhin, që sjell paqe e gëzim: ngushëllimin e Zotit, dashurinë e tij për të gjithë.
Duhet ta ndjejmë ngushëllimin e Zotit e ta përcjellim edhe ndër të tjerë: “Kam gjetur disa herë njerëz të kushtuar, që kanë frikë nga ngushëllimi i Zotit, e, të varfërit, tronditen, sepse kanë frikë nga dhembshuria e Zotit. Po, mos kini frikë! Hyji është Zot i ngushëllimit, i dhembshurisë, i dashurisë. Zoti është atë e sillet me ne, si nëna me foshnjën e vet, plot dashuri. Mos kini frikë nga ngushëllimi i Zotit”.
Pika e dytë e referimit të misionit, është Kryqi i Krishtit, shtoi Papa, duke sjellë shembullin e Shën Palit që, në misionin e tij, provoi vuajtje, ligështi, dështime, por edhe gëzim e ngushëllim. Ky është misteri i Pashkëve të Jezusit: misteri i vdekjes e i ngjalljes: “Misteri i Pashkëve është zemër e misionit të Kishës, zemër që rreh fort! E në se mbetemi brenda këtij misteri, ne mbrohemi si nga vizioni shekullar e triumfalistik i misionit, ashtu edhe nga shkurajimi përballë provave e dështimeve. Fryti i kumtimit të Ungjillit nuk sigurohet as nga suksesi, e as nga mossuksesi sipas kritereve të vlerësimit njerëzor, por nga njësimi me logjikën e Kryqit të Krishtit, që është logjika e daljes nga vetvetja, për t’u dhuruar, është logjika e dashurisë”.
Kryqi siguron suksesin e misionit tonë, shtoi Papa. E nga Kryqi, akti më i lartë i mëshirës e i dashurisë, rilindim si krijesa të reja.
Pastaj elementi i tretë, lutja. Në Ungjill, vijoi Papa Françesku, dëgjuam të thuhet: “Luteni, pra, Zotërinë e të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta”: “Punëtorët për korrje nuk zgjidhen përmes fushatave publicitare ose thirrjeve për shërbim e bujari: janë të ‘zgjedhur’, ‘të dërguar nga Zoti’. I zgjedh ai vetë. E ai i nis për mision. Prandaj është e rëndësishme lutja. Kisha na përsërit Benedikti XVI, nuk është jona, por e Zotit; ara, që duhet punuar, është e Tija. Misioni, atëherë, mbi të gjitha është hir. E nëse apostulli është fryt i lutjes, në të do të gjejë dritë e forcë për veprimtarinë e tij. Misioni ynë nuk është i frytshëm, madje shuhet fare, në çastin kur ndërpritet lidhja me burimin, me Zotin”.
Prej këndej, thirrja e Papës drejtuar të rinjve për lutje të vazhdueshme e kundrim, sepse këtu fshihet sekreti e fryti i dishepullit të Krishtit. Përhapja e Ungjillit nuk sigurohet as nga numri i njerëzve, as nga fama e institucionit e as nga sasia e burimeve të mundshme:
“Ajo, që ka rëndësi, është të jesh përplot me dashurinë e Krishtit, ta lësh Shpirtin Shenjt të të prijë e jeta jote të jetë filiz i drurit të jetës, Kryqit të Zotit”.
Papa në Engjëllin e Tënzot: mos kini frikë nga gëzimi, që sjell Zoti në jetën tonë/Pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, Papa deshi të ndajë me besimtarët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në lutjen e Engjëllit të Tënzot, gëzimin për takimin me seminaristët, novicët e novicet, shtegtarë në Romë me rastin e Vitit të Fesë. I ofroi, pastaj, mbarë popullit të Zotit Enciklikën Lumen Fidei, plot besim se do të shërbejë për reflektim e ballafaqim me problematikat e botës së sotme. Më pas u la të rinjve takim në Rio-de-Zhanéiro. Papa u kërkoi gjithë besimtarëve të luten për të rinjtë në udhë vokacionale: “Që Dashuria e Krishtit të fitojë gjithnjë më shumë pjekuri në jetën e tyre e të bëhen misionarë për Mbretërinë e Hyjit”. I frymëzuar nga Ungjilli i së Dielës, Papa Françesku kujtoi se Jezusi nuk është misionar i izoluar, por bashkëpunëtor i ngushtë me dishepujt: “Kjo është shumë e bukur! Jezusi nuk do të veprojë i vetëm; erdhi të sjellë në botë dashurinë e Hyjit e dëshiron ta përhapë me stilin e bashkimit, me stilin e vëllazërimit”.
Prandaj formon menjëherë bashkësinë misionare të dishepujve: “E menjëherë i përgatit për mision, për të shkuar. Por, kujdes: qëllimi nuk është të gjejnë shoqëri, ta kalojnë kohën së bashku, jo, qëllimi është të kumtojnë mbretërinë e Hyjit, kjo është e ngutshme! Edhe sot është urgjente, nuk kemi kohë për të humbur me biseda, nuk duhet pritur miratimi i të gjithëve, duhet të nisemi për të kumtuar. Kumtimi u sjell njerëzve paqen e Krishtit e, nëse nuk e pranojnë, ecet njëlloj përpara”.
Sa e sa misionarë ‘mbjellin jetën e shëndetin, rehatinë e kënaqësitë’ në skajet më të humbura të botës, kujtoi me entuziazëm Papa: “Sa e bukur është kjo, të mos jetosh vetëm për vetvete, por të jetosh për të shkuar e për të bërë mirë”.
Pastaj, duke iu drejtuar mijëra të rinjve, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë u tha: “Ju jeni të guximshëm për këtë; a keni guxim ta dëgjoni zërin e Jezusit? Është bukur të jesh misionar, por të jesh misionar i vërtetë, më pëlqen kjo”.
Dishepuj të Jezusit, sqaroi Papa, nuk janë vetëm ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët, por edhe katekistët e besimtarët laikë, që ndihmojnë të sëmurët e të braktisurit, gjithnjë si misionarë të Ungjillit. E nëse Jezusi u jep dishepujve forcën për ta mundur djallin e mallkuar, kjo është vepër e Tij: “Nuk duhet të mburremi, sikur të ishim ne protagonistët: protagonist është Zoti me hirin e tij. E gëzimi ynë është vetëm ky: të jemi dishepujt e Tij, miqtë e tij. Na ndihmoftë Zoja e Bekuar të jemi punëtorë të mirë të Ungjillit”.
Prej këndej, Papa bëri thirrje të mos kemi frikë, por ta presim gjithnjë plot gëzim Zotin, që vjen të na takojë: “Mos të kemi frikë nga gëzimi: gëzim e guxim!”.
Pas lutjes mariane, Françesku ia besoi Virgjërës Mari Letrën Enciklike Lumen Fidei, nisur nga Benedikti XVI, për të plotësuar trilogjinë kushtuar dashurisë dhe shpresës. Një tekst, tha Papa, i cili mund të jetë i nevojshëm edhe për ata, që janë në kërkim të Zotit e të kuptimit të jetës: “Unë e pranova këtë plan dhe e përfundova. Ia ofroj me gëzim gjithë Popullit të Hyjit; të gjithë, posaçërisht sot, kemi nevojë të shkojmë tek thelbi i fesë së krishterë, për ta thelluar e për ta ballafaquar me problematikat aktuale”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›