E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthim nga harrimi

07-07-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Gjuha shqipe është pasuruar me emërtimin varrezë makinash, në dallim dhe ngjashmëri me varrezën ose vorret për njerëzit. Kjo nuk përfytyrohej kur Shqipëria kishte gjithë-gjithë 2500 mjete automobilistike, kamionë të rëndë çekosllovakë Tatra e Skoda, Zis-ët sovjetikë, vetura polake Warshava, BÇ kinezë, e Mercedes Benz gjermanë, me numërim sa gishtat e dy duarve, vetëm për Byronë Politike. Kaq pak automjete nuk krijonin dot varrezë hekurishtesh, prandaj ky emërvend nuk njihej aso kohe ndër ne. Automjetet, edhe të tejpërdorura, nuk hidheshin a kalleshin kund, por ua zbërthenin pjesët e vjetëruara për t’ua mbërthyer të tjerave po si ato.
Kur nga Shqipëria emigruan qindra mijëra vetë e u vendos ekonomia e tregut, nga perëndimi “emigruan” për te ne, mijëra makina të përdorura. Sa hap e mbyll sytë, kudo përgjatë rrugëve të rëndësishme, u formuan të ashtuquajturat varreza makinash, nga lloj-lloj markash prodhimi. Por, ishte habi e madhe që, kur socializmi shqiptar nuk kishte varreza makinash - pasja e një veture borgjezonte klasën punëtore - në Shqipëri qe hapur “varreza gjuhësore” që, një të ngjashme nuk e ndeshje kurrkund. Kjo, qe aq e madhe, sa brenda saj u gropua, e u fut në ndryshkim, gjysma e pasurisë leksikore e shqipes. Gjithë ajo pasuri, nuk u la asisoj si e pavlerë, por nga përjashtimi. Gjuhëtari Mehmet Elezi, pas tetë vitesh punë, mëngjes e mesnatë, i ndrymë si një murg në një kthinë të vogël të apartamentit të vet, hartoi Fjalorin e Gjuhës Shqipe, me rreth 41 000 fjalë, në plot 1664 faqe, të cilin e botoi në verën e vitit 2006. Ai, me këtë akt shkencor, intelektual e atdhetar, shërbim i mençur e punë e mundimshme, zhbëri “varrezën gjuhësore” në truall të shqipes, zmbrapsi përjashtimin 1972 dhe, fjalori i ardhshëm, i plotë, i gjuhës shqipe, gjysmën e pasurisë së lënë jashtë, e ka të gatshme për ta përfshirë.
Ndër përjashtimet e heshtura ka qenë dhe një fjalë mirënjohjeje e falenderimi, të cilën edhe disa vjet pas Luftës, e dëgjoje anembanë vendit: rrofsh! (përshembull si, “rrofsh, or çun!”), dhe rrnofsh! (përshembull si, “rrnofsh, o djalë!”). Në bisedat e ideologjizuara të komunizmit, u futën në përdorim shprehje lavdëruese si “Eshtë djalë Çapajev!”, apo betimi popullor “Për atë Zot!” u zëvendësua me “Për ideal të Partisë!”. Pasi emigruan mijëra vetë, në Shqipërinë me aq pak telefona fiks, shtëpitë e zotëruesve të një numri, u shndërruan në “kabina telefonike” fqinjësh, farefisi e miqsh, ku kumbonte bashkëbisedimi si në një dramë - komendi, tek dëgjoje pleq të përmalluar, t’u miratonin bijve e bijave mendimet me OK, apo t’i përshëndesnin me Ciao! Me vërshimin në Shqipëri të shqiptarëve të Kosovës, tërhoqi vëmendjen, po nuk ngjiti, fjala Tung!,   shkurtesë e Tungjatjeta, ngjashëm si Thanks e anglishtes për Thank you. Por, me fuqi, pa asnjë porosi gjuhësore zyrtare të Akademisë së Shkencave e pa kurrfarë vendimi të ndonjë mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, u fut vrullshëm në përdorim fjala falenderuese Rrofsh!  Thuhet aq dendur dhe gjatë gjithë ditës. E shkurtër sa edhe mbresëlënëse. E bukur nga kumti, si për atë që e jep dhe tjetrin që e merr. Shumë herë kam menduar psenë e lënies anash e hedhjen në përrua, të kësaj mënyre mirënjohjeje, që na e shqiptonin të moshuarit e prindërit, në të dy të folmet, rrofsh! e rrnofsh! Por, kjo fjalë, edhe pse ishte e përfshirë në fjalor vetëm në të folmen toskërisht rrofsh!, qe përjashtuar nga gjithëpërdorimi. Ajo u fshi prajshëm, nga mosthënia e mosshqiptimi, si të mos qe fare u tulat edhe në pasurinë gjuhësore të njerëzve, nga droja e rrezikimit për gabim politik me të. Fjala rrofsh! u pronësua, u personalizua dhe u individualizua, sepse ajo thuhej, thirrej e brohoritej vetëm për Diktatorin (“Rrofsh sa malet shoku Enver!”), dhe për PPSH ( “Rroftë Partia e Punës!”). Të dy këto - rrofsh e rrnofsh - ishin top e gjyle, që nuk mund t’i thuheshin njëri-tjetrit, sepse ato u taksën vetëm për Perendinë tokësore e Partinë-shtet. Por, ato, u çliruan e po i dëgjojmë tani e përditë, mes pjesëtarëve të familjes, zyrave të punës, rrugëve me njerëz, lokaleve gumëzhitëse, aparateve telefonikë, kudo ku shprehet një marrëdhënie njerëzore e bashkëpunimi. Kemi të bëjmë me një shembull të qartë përballë ngurtësisë për futjen në përdorim të  pasurisë gjuhësore gjithë sa ajo është, dhe përballë rrezikut përmbytës të fjalëve të huaja kur flasim shqip. Trysnia e kësaj fjale është e mirëseardhur, ajo duhet  përfillë e mbështetë, për të zhbi “varrezën gjuhësore”, të gjuhës sonë, gjysma gjallë e gjysma agoni. Lajmet bëjnë të ditur se po vdesin mjaft gjuhë të vogla kryq e tërthorë botës. Pak kohë më parë dha shpirt edhe një syresh në Oqeani. Ajo kishte mbetur pasuri e vetëm një plake e, me shuarjen e saj u fik dhe gjuha e tërë. Shqipja është gjuhë e një kombi të vogël që, duke e përgjysmuar pasurinë e saj me duart tona, bëhet edhe më e vockël, më pak përballuese, më e rrezikuar nga agresioni pushtues i gjuhëve të mëdha, në erën e një komunikimi përtej shpejtësisë së përrallave.
Përdorimi i rrofsh! është si kthim mallëngjyes nga harrimi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›