KQZ miraton rezultatin për Qarkun Tiranë dhe Gjirokastër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin e votimit për Qarkun Tiranë dhe Gjirokastër. Në mbledhjen e së martës është parashikuar të miratohen rezultatet për Qarkun Lezhë, duke përmbyllur procesin e nxjerrjes së rezultateve të garës politike të 23 qershorit. Partitë politike po bëhen gati t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor, për vendimin mbi shpërndarjen e mandateve për deputetë. Ky hap do të ndërmerret nga Partia Socialiste, në kushtet kur ky vendim nuk merret dot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi nuk ka kuorumin e përcaktuar në ligj për një vendimmarrje të tillë.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, jep edhe një opinion se sa ditë mund të zgjasë procedura për kalimin e çështjes së shpërndarjes së mandateve për deputetë, nga KQZ drejt Kolegjit Zgjedhor.
Kodi Zgjedhor përcakton se partitë politike kanë të drejtë të bëjnë ankim pranë Kolegjit Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Ligji saktëson se Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.