Analiza/“U bë për top” një anti-e djathtë që më 23 qershor u trajtua si lëkurë fiku
Që të dy u futën në politikë si të djathtë. Jo në kuptimin leksikografik, që do të kishte për bazë fushën ekonomike, si përcaktim. E kemi fjalën për kuptimin në të folmen e përditshme popullore, të vendit tonë. Njerëzit tanë me ‘të djathtë’ nënkuptojnë ‘antikomunistët’; me ‘të majtë’ emërtojnë komunistët. Tjetër muhabet ai që të dytët, komunistët mëkatarë, e kanë bërë të zakonshme t’i quajnë antikomunistët, komunistë, me synimin që të ngatërrojnë zaret: Komunist ti, komunist unë, eja e gjëje se cili është i atillë dhe kush është i këtillë. Tertip për të kamufluar sigurimsat dhe operativët e burgjeve, si edhe ata më mizorët e organeve represive, që t’i bishtnojnë ‘lustracionit’, një detyrim i AK të BE-së, i papërmbushur endé. ‘Topi u bë për top’, në titullin tonë, është i dykuptimtë: Bamir Topi u bë për të luajtur me top, domethënë për të luajtur me shakatë e tij pa i peshuar forcat e veta. Apo i njëjti person, arrivist dhe megaloman, për të treguar mosmirënjohjen e tij nga partia që e promovoi dhe, veçanërisht, nga kryetari i saj, kaq bamirës ndaj Bamirit! (Të na falet kakofonia, meqë ky shkrimi im i kësaj radhe të bën për të qeshur, duke qarë!). Në të vërtetë një lokucion popullor është “qesh se s’qaj dot”. Por një tjetër, më në përkitje me temën, është “Mendja e madhe, e zeza e të zot”. E, meqë ish-pëdëisti B. Topi është edhe për të mos ia marrë seriozisht deklaratat kur doli nga binarët e paanësisë, për t’u bërë palë me kundërshtarin që e mikloi, ai i meriton të dyja tiparet: Edhe qesharak, edhe u bë mish për top! Ia kam vath në vesh atë thënien e tij, - jo dhe aq për të qeshur, - duke iu drejtuar Dr. Berishës, me një epitet që as E. Rama nuk kishte mundur t’ia gjente dot: - Stalinisti Sali Berisha!
Kjo thënie duhet marrë seriozisht. B. Topi është paksa i vonuar në krahasim me ata që u quajtën “dhjetoristë”. Në këtë krahasim ai është, në njëfarë mënyre, një ‘parvëny’, - siç thonë francezët për atë që i hyn punës një çikë me vonesë, por që e përdorin edhe shqiptarët ndonjëherë. Le të shihen kronikat filmike të dhjetoristëve në tribunë. Në ato të parat, B. Topi nuk është pranë Berishës, si Azemi e të tjerët. Megjithatë ai u mirëprit kur e quajti veten pëdëist të përkushtuar, madje edhe u bë kryetar i grupit parlamentar. Meqë, kur i hyri vetja në qejf dhe e quante doktorin autokrat, pa dashamirësinë e Berishës a do t’i ngjiste kaq shpejt shkallët e karrierës?
Sidoqoftë nuk është kjo pyetja kryesore. Është kjo tjetra: - “Me bindjen se Berisha është stalinist, përse ai iu afrua dhe iu përngjit një stalinisti? Mos, vallë, edhe ai vetë ishte një stalinist? Apo, mo’ Zot, ishte i patenzonë dhe u fut si kalë troje, për t’ia bërë puçin më vonë? Ky version i dytë më duket tepër i rëndë, se do të ishte një Judë në radhët e demokratëve, që do ta bënte edhe kundërshtarin që ta përçmonte. Ndonëse komunistët nuk kanë skrupuj të tillë! Megjithatë, le të pranojmë variantin e parë, si më pak komprometues për B.T. Sërish ai mbetet i komprometuar, në broçkullat hiperbolike, që nuk i ka përdorur ndonjëherë édhe ndaj Ramës, për të dëshmuar njëfarë paanësie, qoftë edhe fiktive. Kjo na kujton atë këngën popullore “Bir Selmani i nënës / Kë të qaj më parë. / Njërin e kam nip, / Tjetrin e kam djalë!”.
Erdhëm, kështu, në hallin e Selmanit të shkretë. Me atë batutë-bumerang, B.T. duhet të ishte pak më tepër transparent. Do të duhej të sqaronte atë çështjen e pasqaruar të skandalit që B.T. votoi për Edin, në atë debat kur ky i fundit u vetëshpall “fitues” me votën e Kauçukut dhe jo me atë të Vullnetit, të zgjedhësit! (Kjo u sqarua njëherë e mirë nga Komisioni i Venecies). Kur në një emision televiziv iu bë kjo pyetje, që të shpjegonte nëse ishte morale ajo vota e tij në dobi të Ramës, ai e refuzoi kategorikisht. U nervozua. Sikur e ndjeu veten si Selmani, në hall të dyfishtë. Por pyetja u bë këmbëngulëse: - A mund të thuash se për cilin votove? Duket se nuk pati kohë të mendohej për këtë pyetje të vështirë dhe tha: - “Abstenova!”. Gjene mirë. Gjysmë pohimi... Se mund të thoshte: “vota është e fshehtë”! - që t’i shmangej akuzës. Por edhe kështu Bamiri dilte i njollosur, jo i larë. Për transparencë as që mund të bëhej fjalë. Ajo kishte avulluar!
Sa për atë që ndodhi më 21 janar, ky ish-president, vetëm me këtë ofiq, mund të ndalonte masakrën që e bëri Edvini. Sido që ky është “usta” - në kuptimin e të ndjerit P. Arbnori – që të mohojë të gjitha të vërtetat. Ja njëra prej tyre: - Ky ishte antikomunist me fletë, sipas “Refleksioneve”, - apo komunist safi, sipas “Kurbanit”? Inkoherencat dhe rrenat janë të pambaruara. Njihet, tashmë, ai gjyqi spektakolar në të cilin E. R. akuzoi atë femër me talent, si aktore filmash të mirëpritur, për babanë e vet, Kristaqin, si atin e të birit... (etj...). Tani ai tha të vërtetën, apo gënjeu, kur ia veshi këto fraza, të cilat s’po i them të tëra, Dr. Berishës, kur dihet mirë se origjinali është dikush tjetër (aleat i tij, tanimë) të cilin ai nuk e përmend? Le të lexohet në f. 35 të “Kurbanit”, sesi mohohej krejtësisht një gjyq dhe të vërtetat e tij! Po kështu E.R.-s i shtrohet kjo pyetje. Ai tha, në datën 20, se “situata mund t’i dilte jashtë kontrollit”. Domethënë se sherrxhinjtë e bënë në mënyrë të pavarur atë mësymje agresive të paparë. Gati-gati se ky lloj i pashembullt agresiviteti ishte spontan! Sindikalisti pa parti(!) F. Xibri, tani i shpërblyer për ato borderotë e demonstratave të zakonshme (tanimë anëtar i Asamblesë së E.R.-s ) , nuk mund të mohojë se demonstruesit paguheshin për të qenë pjesëmarrës mitingjesh. Mitingjet, me pare – pra! Tani cili e beson se na qenkan spontane?
Meqë kjo pyetje është aksiomatike, atëherë nuk mjaftuan pesë orë që të mbyllej kjo zallamahi, që u bë e rrezikshme me thyerjen me automjet e portës së hekurt të Kryeministrisë dhe mbetej vetëm dera e drunjtë e këtij institucioni? Logjika ta do se Edi kërkonte viktimat, jo pesë orë të vazhdonte “demonstrata paqësore”, po edhe dhjetë orë...
Pyetja thelbësore: Përse nuk dha urdhër të mbyllej në orën e tretë? Përse nuk u dha urdhër të mbyllej në orën e 3 30’të? Përse nuk u dha urdhër të mbyllej në orën e katërt pas fillimit? Përse nuk u dha urdhër të mbyllej në orën 4 30’ pas fillimit? Përse nuk u dha urdhër të... (Të më falet përsëritja, që nuk është për prirje kakofonike).
Tani vijmë te Bamiri. Si president, ai mund t’i jepte urdhër me celular Edit: - “Të mbyllet urgjentisht. Nëse e vazhdon më tej, unë do të deklaroj menjëherë në TV se ti je përgjegjës për pasojat”. A mund të bënte një gjë me vlerë, më së fundi? Është e vështirë të thotë një njeri me mend në kokë, JO! Përse s’e bëri atëherë? Për këtë Bamirit nuk i mbetet veçse të gënjejë. Por nuk thuhet më kot se “njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën!”. Veçse jo të gjitha aforizmat janë të vërteta. Është e vërtetë tjetra: Se në KQZ u bë një zhurmë e madhe nga Gjonçaj i PS-së, që përfundoi me rrahje, me autor këtë të fundit. Kamerat e kanë regjistruar ngjarjen, janë dokument. Përse kjo grindje? Sepse Rama urdhëroi që të zgjidhej Topi deputet, o s’ka derman! Po ja që, jo vetëm nuk u arrit kjo “larje e fytyrës”, pa lé ajo mendja e madhe e zeza e të zot, që të kishte grup parlamentar Bamiri, sipas asaj mendjes së madhe! Nuk ka detergjent në dynja që të lajë atë gjakun e trotuareve, të cilin “ustallarët” u orvatën t’ia mballosnin të tjerëve! Sa për Kreshnikun, edhe ky u fal tek e majta, por mbeti si lëkurat e fikut, kur fikun e hëngrën të tjerët. Nuk kemi më vend, që të vazhdojmë më gjatë. Mbase njëherë tjetër!