E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Giffoni 2008", nis nga Saranda

Edicioni i katërt i festivalit prestigjioz "Giffoni 2008" nisi në Sarandë, falë mbështetjes së dhënë nga bashkia e këtij qyteti. Namik Ajazi, drejtues i evenimentit, tha se ky vlerësim për Sarandën dhe fëmijët e saj e ka pikënisjen te vlerësimi si qytet që premton shumë për turizmin. Filmi i parë që ka çelur bllokun e "Giffoni 2008" në sallën e kinoteatrit "Butrinti" ishte "Efetti pericolosi" ("Efekte të rrezikshme"), prodhim i vitit 2004, një produksion i përbashkët Zvicër-Danimarkë-Finlandë. Tema e tij ka qenë përgatitja për gjimnazin e protagonistes 13-vjeçare Sofia, pas mbarimit të pushimeve verore, marrëdhëniet e saj me mikeshat e vjetra dhe me miqtë e tjerë, që janë të rinj dhe djem bukuroshë. Efektet e rrezikshme nën veprimin e alkoolit, që jepen në film, kanë qenë edukative për shikuesit e rinj të kategorisë së adoleshentëve. Këtë projeksion do ta shoqërojnë edhe katër filma, që i përkasin kësaj moshe, por edhe asaj të quajtur "free to fly" ("të fluturosh i lirë"), nga 8 deri në 12 vjeç. Organizatorët kanë programuar që shfaqjet të shoqërohen edhe me diskutim të filmave që fëmijët shohin.

Interesi i fëmijëve sarandjotë për kinemanë e tyre është parë që në filmin e parë që është projektuar paraditen e së hënës në ekranin e madh.

Në dy ditë radhazi do të shfaqen filma të pëlqyer, si: "Miq për jetë", "Misa e ujqërve", "Efekte të rrezikshme" dhe "Ndihmë, u bëra djalë".

Vlerësimi që i bëhet Sarandës me preludin e "Giffoni 2008", ka thënë kryetari i bashkisë Edmond Gjoka, përkon me politikat e kujdesit të saj ndaj moshave fëmijënore dhe e vendos Sarandën në elitën e turizmit dhe të kulturës e artit. Mendohet që "Giffoni Festival" të kthehet në një traditë të përvitshme për Sarandën, duke iu shtuar kalendarit veror të aktiviteteve madhore që ajo ka, si: Festivali i Teatrit Mesdhetar në Butrint, Festivali i Bandave Muzikore etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›