E Shtunë, 31 Tetor 2026

Giffoni: 3 nëntori s'ka pse të kundërshtohet

Udhëheqësia e LDK-së dhe AAK-së i kanë thënë PO mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 3 Nëntor. Këtë ata ja kanë konfirmuar ambasadorëve të vendeve të Quintit gjatë takimit që është mbajtur dje, edhepse këtë nuk pranojnë ta konfirmojnë zyrtarisht. 

Një burim ndërkombëtar i ka thënë Indeksonline se qëndrimet e të dyja partive janë zbutur kur kanë marrë vesh që 3 Nëntori e ka mbështetjen e ndërkombëtareve. Për këtë datë fillimisht është arritur pajtim në darkën e punës në mes të Kryeminsitrit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij serb, Ivica Daciq. Edhe ky takim si gjithë të tjerët ishte ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

I pari megjithatë që e përmendi datën 3 Nëntor ishte shefi i qeverisë serbe, Daciq përmes një deklarate për media serbe që në Kosovë u interpretua si vendim në emër të Kosovës.
Në Prishtinë, zëdhënësat e të dyja partive opozitare, LDK dhe AAK, nuk kanë kthyer përgjigje një kohë të gjatë duke kërkuar kohë që të tregojnë qëndrimin e tyre në këtë cështje. Në orët e pasditës ata nuk janë përgjigjur më në thirrjet e Indeksonline.

Këtë qëndrim të këtyre dy partive nuk ka dashur ta konfirmojë as Michael Giffoni, Ambasadori i Italisë në Prishtinë, një nga pjesëmarrësit e takimit të djeshëm. Ai megjithatë vlerëson se 3 Nëntori është datë e mirë për këto zgjedhje.
“Gjatë ditës së djeshme kam pasur takim me liderët kosovarë, duke përfshirë këtu edhe zotin Mustafa. Pos tjerash kemi diskutuar edhe për zgjedhjet lokale. Opinioni im personal është se askush nga spektri politik nuk ka arsye pse të mos pajtohet me datën 3 nëntor, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Si do që të jetë është e ditur se për këtë çështje vendosë presidentja e Kosovës”, tha Giffoni për Indeksoline.

Nga anën tjetër, edhe kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë që ka mbajtur sot, ka konfirmuar se liderët kosovarë janë takuar me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe përfaqësues të BE-së, dhe që të gjithë i kanë dhënë mbështetje që zgjedhjet lokale të mbahen më 3 nëntor.

“Falënderoj të gjithë liderët politikë kosovarë, pjesëmarrës në takimin e djeshëm, edhe në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe përfaqësues të BE-së, që secili ka vënë interesat e shtetit dhe të qytetarëve mbi disponimet e agjendave tona partiake . Në takim të gjithë liderët kosovarë i kanë dhënë mbështetje që zgjedhjet lokale të mbahen më 3 nëntor”, ka theksuar kryeministri Thaçi. /Indeksoline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›