E Diel, 1 Nëntor 2026

“Giffoni Shqipëria”, edicioni i 7 nis nga Shkodra

Edicioni i 7-të i “Giffoni Shqipëria” e ka ngritur siparin në qytetin e Shkodrës. Për tri ditë, 31 tetor-2 nëntor, Festivali i Filmit për të rinj do të shfaqë në kinema “Millenium” të qytetit produksionet më të suksesshme të realizuara dy vitet e fundit. Në ceremoninë e çeljes, drejtori i festivalit në Shqipëri, Namik Ajazi ka folur edhe për risitë që do të ketë ky edicion jo vetëm gjatë rrugëtimit të tij, por edhe në finalen e madhe të Tiranës. “Lajmi më i mirë ishte fakti që ne mundëm ta realizojmë këtë edicion të shtatë, me gjithë vështirësitë e mëdha financiare, duke plotësuar kështu boshllëkun që ekziston në Shqipëri në kinemanë për fëmijë. Drejtuesit e kinemasë së qytetit na bënë të ditur se të rinjtë edhe gjatë vitit e frekuentojnë më shumë kinemanë dhe besojmë se “Giffoni” ka kontributin e tij modest në këtë drejtim. Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë edicion kemi menduar një organizim ndryshe të jurisë. Në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit janë zgjedhur 400 nxënës, 200 për secilën kategori “Free to Fly” (mbi 13 vjeç) dhe “Y Generation” (mbi 16 vjeç), të cilët do të ndjekin të gjithë filmat që do të shfaqen në Shkodër. Do të jenë ata që në fund do të votojnë për filmat më të mirë, duke mos e lënë kështu verdiktin vetëm në jurinë e Tiranës, por duke ia bashkangjitur votimeve që bëhen në Shkodër dhe Durrës”, - ka thënë Ajazi, ndërsa ka kujtuar se finalja që do të mbahet në Tiranë më 8-11 nëntor do të ketë të tjera përmasa krahasuar me vitet e shkuara. Në program janë 6 filma, tre për secilën kategori, prodhime të huaja të cilat rrahin probleme sociale të ndryshme duke filluar që nga integrimi në shoqëri, problemet e racizmit, por edhe duke sjellë aventura të bukura për të rinjtë. I pranishëm në ceremoninë e çeljes së festivalit ka qenë edhe nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ritvan Tërshani, duke shprehur mbështetjen e këtij institucioni ndaj festivalit të vetëm për të rinjtë, i pranishëm në qytetin e kulturës që prej edicionit të parë. “Shkodra i është mirënjohëse ‘Giffoni Shqipëria’ që është bërë pjesë e qytetit tonë. Fëmijët dhe të rinjtë janë brezi që ne synojmë gjithnjë të përfshijmë në projektet tona”, ka theksuar Tërshani. Pas projeksioneve të para, nën modelimin e Manjola Llojas, të rinjtë shkodranë kanë qenë pjesë aktive në diskutimin e filmave, tematikave dhe protagonistëve të tyre. Pas Shkodrës, “Giffoni Shqipëria” do të udhëtojë drejt Durrësit më 3-4 nëntor, ku filmat do të shfaqen në teatrin “Aleksandër Moisiu” për të mbërritur në finalen e Tiranës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›