Tirana kthen Kastriotin me Këmbë në tokë
Tirana ka “pushtuar” Krujën duke arritur një fitore in-extremis falë golit të Dushkut në minutën e 92-të, por deri në ato çaste ka qenë një ekuilibër i mbërthyer në rezultatin 2-2. Kastrioti, pas fitores 4-0 të javës së parë kundër Pogradecit, u mund në shtëpi duke e dorëzuar shpejt kreun dhe duke hequr nga vetja cohën e pretendentit, që u vesh gjatë javës së shkuar. Të parët që kanë kaluar në epërsi kanë qenë vendësit, me anë të Inkangos, në minutën e 41-të. Merita i takon Turdiut, që ka fituar një penallti, të cilën e ka ekzekutuar sulmuesi kryesor i Kastriotit, me sukses, duke e kaluar skuadrën krutane në epërsi. Me fitoren 1-0 është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka nisur mjaft mirë për bardheblutë. Sulmuesi shkodran, Bala, ka rivendosur ekuilibrat në minutën e 48-të, duke shokuar krutanët, por Gilman Lika i ka tronditur vërtet kur me eurogolin e tij ka mposhtur portierin Halimi. Sidoqoftë, vendësit nuk dorëzohen dhe hidhen në sulm duke barazuar sërish me Ikangon. Francezi merr edhe kryesimin e golashënuesve me 4 gola në dy ndeshje. Pas barazimit, krutanët hidhen në kërkim të golit të fitores, por lënë shumë hapësira pas, të cilat i shfrytëzoi Tirana që shënoi golin e fitores me anë të të riut Dushku.
Shkumbini ka triumfuar ndaj Apolonisë, me rezultatin 2-0. Bardhekaltrit kanë kaluar pa shumë problem fierakët, pavarësisht se në gjirin e tyre luajnë mjaft lojtarë të rinj. Mirëpo, kanë qenë pikërisht këta të rinj, që i kanë dhënë fitoren Shkumbinit. Mbrojtësi Klement Xhyra, në minutën e 45-të ka prishur bardhësinë e shifrave të fillimit të ndeshjes, duke i dërguar peqinasit në avantazh në dhomat e zhveshjes, në pushim të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të lojës, Shkumbini ka dyfishuar shifrat me anë të të riut Sulkja, në minutën e 50-të. Fitore minimale ka marrë Pogradeci në shtëpi, në një duel debutuesish në superligë. Miqtë beratas të Tomorit janë mbajtur deri në minutën e 75-të, kur laçiani Tanushi ka shënuar golin e epërsisë për liqenorët. Gol i cili ka mbetur i pandryshuar deri në fund të ndeshjes, çka ka dërguar 3 pikë në llogarinë e Pogradecit.
Në sfidën e fundit të ditës së djeshme, Teuta dhe Flamurtari nuk kanë shkuar dot më larg sesa një barazim pa gola. Në “Niko Dovana” është luajtur një sfidë e hapur, por asnjë skuadrave nuk ka mundur dot që të shënojë një gol për të marrë maksimumin e pikëve dhe për të kryesuar e vetme në renditje.
Superliga – Java II
Rezultatet
Të premten
Laçi – Bylis 2-2
Kamza – Vllaznia 1-0
Dje
Kastrioti – Tirana 2-3
Shkumbini – Apolonia 2-0
Pogradeci – Tomori 1-0
Teuta – Flamurtari 0-0
Sot
Dinamo – Skënderbeu 18:00
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Bylis 2 1 1 0 7-4 4
2) Flamurtari 2 1 1 0 2-1 4
3) Teuta 2 1 1 0 1-0 4
4) Kastrioti 2 1 0 1 6-3 3
5) Vllaznia 2 1 0 1 3-2 3
6) Tirana 2 1 0 1 3-3 3
7) Apolonia 2 1 0 1 2-2 3
8) Kamza 2 1 0 1 2-2 3
9) Shkumbini 2 1 0 1 4-5 3
10) Pogradeci 2 1 0 1 1-4 3
11) Skënderbeu 1 0 1 0 0-0 1
12) Tomori 2 0 1 1 0-1 1
13) Laçi 2 0 1 1 3-5 1
14) Dinamo 1 0 0 1 0-2 0