Giorgia Murataj, shqiptarja që po shkëlqen në arenat e muay thai-t evropian!

Nga Vico nel Lazio drejt majave të Muay Thai-t, Giorgia Murataj po kthehet në një emër të spikatur të këtij sporti luftarak, duke fituar medalje në kompeticione ndërkombëtare.
Sportistja me origjinë shqiptare ka shënuar një sezon të suksesshëm, me medaljen e artë në titullin Sandee në Manchester të Anglisë dhe medaljen e argjendtë në Kupën e Hapur Evropiane të Muay Thai-t në Jerevan, Armeni.
Në kategorinë senior deri në 54 kilogramë, Giorgia arriti deri në finale në Jerevan, pasi kaloi me sukses ndeshjet e mëparshme. Së fundmi, ajo u rendit e dyta edhe në kampionatin botëror të zhvilluar në Itali, duke konfirmuar formën e saj të mirë sportive.
Por pas medaljeve fshihet edhe një histori personale që e bën rrugëtimin e saj të veçantë. E lindur në Itali, me një nënë shqiptare dhe baba italian, Giorgia humbi të atin në një aksident kur ishte vetëm 11 muajshe. Ajo nuk pati mundësinë ta njihte, por thotë se e ndien gjithmonë pranë vetes.
Për disa vite, ajo jetoi dhe u shkollua në Shqipëri, përpara se të rikthehej në Itali, ku nisi edhe rrugëtimin në sportin që sot e ka kthyer në pasion dhe profesion. Gjithçka filloi me një ftesë nga një shoqe dhe dëshirën për të mbushur ditët me një aktivitet të ri. Pas dy vitesh stërvitje, Giorgia provoi për herë të parë emocionet e garës, pa e ditur se ky do të ishte fillimi i një rruge drejt arenave ndërkombëtare.
Sot, me medalje ari dhe argjendi në koleksionin e saj, ajo vijon të sfidojë kundërshtare nga vende të ndryshme të Evropës, duke përfaqësuar me krenari vendin ku jeton dhe duke mbajtur të forta lidhjet me origjinën shqiptare. Një histori këmbënguljeje, dhimbjeje të kthyer në forcë dhe pasioni, ku çdo medalje është një tjetër hap drejt ëndrrave të saj./abcnews.al