MIA: Prona e ish-uzinës së bakrit në Rubik nuk i është dhuruar një subjekti privat

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim reagoi sot lidhur me një lajm të publikuar në media, sipas të cilit prona e ish-Uzinës së Përpunimit të Bakrit në Rubik i është “dhuruar” një subjekti privat, duke e cilësuar këtë pretendim të pavërtetë.
Në reagimin e saj, Agjencia përcjell sqarimin e shoqërisë shtetërore KAYO, sipas së cilës prona është dhe mbetet në pronësi të saj, ndërsa kapitali i shoqërisë është 100% shtetëror.
Sipas reagimit, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 140, datë 6 mars 2025, ndalon shprehimisht tjetërsimin e kësaj pasurie. Ndërkohë, theksohet se dhënia e pronës në përdorim për veprimtari industriale nuk përbën kalim pronësie apo privatizim.
Agjencia për Media dhe Informim u bën thirrje medieve që të verifikojnë informacionet përpara publikimit, për të shmangur përhapjen e të dhënave të pavërteta.
/gj.m/j.p/r.e/