E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëntë të arrestuar dhe 10 në kërkim për akte dhune në protestë, procedim penal 2 shtetasve

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit arrestoi 9 shtetas, procedoi penalisht 2 të tjerë dhe shpalli në kërkim 20 shtetas pasi kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe me lëndë piroteknike, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore, gjatë tubimit të djeshëm. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm u arrestuan shtetasit A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç; Po ashtu, Policia procedoi penalisht 2 shtetas dhe shpalli në kërkim 20 të tjerë. Gjithashtu, u arrestua shtetasi E. D., 20 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të datës 24 tetor 2026. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Policia vijon veprimet hetimore në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›