E Martë, 3 Nëntor 2026

Giro d’Italia, të premten bllokim i përkohshëm i qarkullimit në aksin Karinë-Peqin-Bradashesh-Shijon-Gracen

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Në kuadër të zhvillimit të etapës së parë të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025”, e cila do të nisë nga qyteti i Durrësit më 9 maj 2025, Policia e Elbasanit ka njoftuar sot bllokimin e aksit rrugor Karinë – Peqin – Bradashesh – Shijon – Gracen.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Elbasanit ka detajuar planin e masave për menaxhimin, sigurimin e qarkullimit rrugor, garantimin e rendit publik, si dhe për mbarëvajtjen e aktivitetit sportive në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Giro d’Italia” përfshin tri etapa brenda territorit të vendit tonë, më datat 9, 10 dhe 11 maj 2025, në qytetet Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Vlorë.

Ndryshimet në qarkullim:

Bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në aksin rrugor:

“Karinë – Peqin – Bradashesh – Shijon – Gracen”, gjatë orarit 11:30 – 15:30⏰.

Ndalimi i qarkullimit dhe ndalimi i daljes në këtë aks nga rrugët dytësore përgjatë segmentit të garës.

Moslejimi i lëvizjes së kamionëve që vijnë nga Qafë Thana, gjatë orarit të aktivitetit.

Rrugë alternative për në drejtim të jugut:

Për mjetet që udhëtojnë nga Qafë Thana, Librazhdi dhe Elbasani, në drejtim të jugut, orientohen të përdorin aksin rrugor alternativ “Elbasan-Kryqëzimi i Cërrikut-Cërrik-Belsh-Kuçovë”

Këto masa kanë për qëllim të garantojnë sigurinë rrugore, mbarëvajtjen e garës dhe minimizimin e ndikimit në lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan falënderon drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët për mirëkuptimin gjatë këtij aktiviteti çiklistik, si dhe apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në akset rrugore që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit dhe të përdorin rrugë alternativ. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›