ISLAMABAD – India sulmon Pakistanin, të paktën 26 të vrarë

ISLAMABAD, 7 maj /ATSH-AFP/- India sulmoi sot me raketa territorin e kontrolluar nga Pakistani – duke shkaktuar vdekjen e të paktën 26 civilëve.
India tha se kishte goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët – e përfshirë në masakrën e turistëve, muajin e kaluar – në pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga India.
Tensionet janë rritur mes fqinjëve të armatosur me armë bërthamore që nga sulmi i fundit – pas të cilit fshihet një grup i panjohur – që e quan veten “Rezistenca e Kashmirit”.
India ka fajësuar Pakistanin për mbështetjen e sulmit. Islamabadi e ka mohuar akuzën.
Pakistani tha sot se kishte rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë – në hakmarrje për sulmet me raketa – ndërsa dy avionë kishin rënë mbi fshatrat, në Kashmirin e kontrolluar nga India.
“Të paktën shtatë civilë u vranë gjithashtu në rajon nga bombardimet pakistaneze”, tha ushtria indiane në një deklaratë.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dënoi sulmet dhe tha se armiku mashtrues kishte kryer sulme frikacake dhe se vendi i tij do të hakmerrej.
SHBA-ja dhe Kina i bënë thirrje Indisë dhe Pakistanit të angazhoheshin në diplomaci dhe të ushtronin vetëpërmbajtje.
Zyrtarët indianë thanë se forcat e armatosura kishin përdorur sisteme armësh precize për të kryer sulmet – duke shënjestruar selinë e grupeve militante Jaish-e-Mohammed, në Bahawalpur dhe Lashkar-e-Taiba, në Muridke.
Ministria e Mbrojtjes e Indisë tha se sulmet kishin në shënjestër të paktën nëntë vende ku ishin planifikuar sulme terroriste kundër Indisë.
“Veprimet tona kanë qenë të fokusuara, të matura dhe jo me natyrë përshkallëzuese. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është shënjestruar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se India kishte treguar një vetëpërmbajtje të konsiderueshme. //a.i/