E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjak per te shpetuar jete bie numri i dhuruesve me pagese

Pjerin Gjoni ka ndihmuar për të mbajtur në jetë 7 persona, pasi është një dhurues vullnetar aktiv gjaku. E në prag të ditës ndërkombëtare të dhurimit vullnetar të gjakut, Ministria e Shëndetësë i ka shprehur mirënjohje jo vetëm Gjonit, por dhe shumë personave të tjerë, që prej vitesh kontribuojnë në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Pjerin Gjoni: “Herën e parë ndihmova një shokun tim që kishte nevojë dhe kishte probleme shëndetsore”.

Julia Bardhushi: “Kjo ka qenë arsyeja”?

Pjerin Gjoni: “Po, jam shumë i ndërgjegjshëm që gjaku im mund të shpëtojë dikë që është në nevojë”.

Në 2005-ën, 80 përqind e sasisë së gjakut sigurohej me pagesë. Ndërsa vitin e fundit vetëm 19 përqind e gjakut sigurohet nga ky kontigjent personash. Për këtë arsye OBSH e ka konsideruar këtë ndryshim si histori suksesi të Shqipërisë.

”OBSH u ka shpërndarë gjithë vendeve anëtare të Europës fletë, ku Shqipërinë e përcakton si histori të vërtetë suksesi. Transformimi i raporteve të dhurimit të gjakut është nënvizuar si një transformim i madh edhe në mentalitetin e shqiptarëve që kanë kuptuar se çdo transfuzion i dhuruar është një jetë e shpëtuar. Nqs vite më parë, nga 4.5 dhurime për 1 mijë banorë, sot kemi afro 7”-tha Ministri i Shëndetsisë, Petrit Vasili.

Këtë ditë mjekët e shkollave dhe stomatologët e tyre iu përgjigjën apelit të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të kryeqytetit dhe dhuruan gjak rreth 40 persona nga radhët e bluzave të bardha. Megjithatë, banka e gjaku apelon për më shumë ndërgjegjësim, pasi për t’u plotësuar të gjitha nevojat duhet të kryhen 35 mijë dhurime në vit dhe aktualisht numri ka shkuar në 24 mijë.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›