E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i pavaresise Berisha Gati komisioni shteteror

Për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar do të ngrihet një komision shtetëror i posaçëm me përfaqësues nga Këshilli i Ministrave, por edhe shqiptarë të diasporës. 17 muaj përpara datës së shënuar për ditëlindjen e 100-të të kombit shqiptar, kryeministri Sali Berisha bëri me dije se përpara 28 nëntorit 2012, do të jetë gati tempulli i ri i parlamentit dhe stadiumi i ri në Tiranë.

“Për ta kremtuar sa më mirë dhe me sa më dinjitet ngjarjen më madhore të historisë sonë kombëtare, 100 vjetorin e pavarësisë, do të krijohet një Komision Shtetërore, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por edhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet, nga Kosova, shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga diaspora. dhe nuk   mund të nderoje me asgjë më shumë shtetin shqiptarë në 100 vjetorin e tij, sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e Parlamentit, ndër më modernët në Europë; ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës”-tha kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha bëri me dije se do të bëjë gjithçka për të nderuar firmëtarët e deklaratës së pavarësisë.

“Është e domosdoshme që kjo periudhë të shërbeje për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë, të cilët në tërësinë e tyre, përveç Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, pothuajse u bënë të paqenë nga regjimi Hoxhist”-theksoi Berisha .

Në organizimin e 100 vjetorit të pavarësisë do të angazhohen ministritë, institucionet kërkimore shkencore dhe institucionet artistike.

Erjoni Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›