E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetersimi i shkollave prinderit nuk ndalin protesten

Do të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e problemit. Ky ka qenë vendimi i prindërve të nxënësve të shkollave 9-vjeçare në Tiranë, të cilat sipas një projekti të Drejtorisë Arsimore, do të jenë pjesë e gjimnazeve ekzistuese, “Sami Frashëri”, "Qemal  Stafa” dhe “Ismail Qemali”. Ata kanë vazhduar edhe paraditen e së hënës të firmosin  peticionin, duke kërkuar nga strukturat përkatëse arsimore, që vendimin nëse këto shkolla do të tjetërsohen apo jo,  ta dërgojnë zyrtarisht nëpërmjet nje shkrese.

“Tjetërsimi i kësaj shkolle muzike do të ishte një qorrim dhe shëmtim i arsimit muzikor, që do kishte efekt shumë negativ te shoqëria shqiptare në Tiranë dhe më gjerë, dhe nga ana tjetër, ne prindërit po luftojmë me të gjitha rrugët e duhura ligjore”-thotë një prindër.

“Në çfarë sistemi shoqëror jemi ne? Nqs jemi në këtë sistem demokratik për të cilin luftuam, do mbledhësh bordin e prindërve, mësuesve dhe fëmijëve dhe pasi t’i marrësh në analizë të gjitha këto, do vësh vulën se si do ta bësh. Faturën e këtij stresi të llahtarshëm kush e paguan?”-shprehet një tjetër.

Vetëm tri ditë më parë, drejtori i sistemit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu deklaroi se do të kishte një vendim, duke marrë parasysh kërkesat e nxënësve dhe të prindërve, çka tregon se  autoritetet e arsimit janë tërhequr, ndërkohë që këtë e pohuan për “AS”, paraditen e së hënës edhe burime zyrtare pranë MASH, të cilat thanë se nxënësit do të vazhdojnë mësimin në shkollat e tyre. Por deri sa të mos ketë një shkresë zyrtare, sipas prindërve protestat do të vazhdojnë.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›