E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakderdhje e re në Siri

Po rritet numri i viktimave në tërë Sirinë, ku në shënjestër janë viktima civile si gra dhe fëmijë, në sulmet e regjimit të presidentit Bashar Al Assad, disa ditë para skadimit të afatit për vendosjen e armëpushimit dhe tërheqjen e trupave ushtarake nga qytetet .

Të paktën 133 persona gjetën vdekjen në atë që quhet dita më e përgjakshme që nga nisja e protestave anti-qeveritare në Siri.

Viktimat u regjistruan në një moment kur komuniteti ndërkombëtar pret uljen e armëve, si nga opozita, por sidomos nga ushtria qeveritare, për t’iu dhënë fund viktimave mes radhëve të civilëve.

Aktivistët sirianë njoftojnë se numri i viktimave është shumë herë më i madh, por për shkak të besueshmërisë së lajmit, mediat ndërkombëtare iu referohen burimeve ndërkombëtare, që kanë mundur të çajnë bllokadën siriane të informacionit.

Një vëzhgues ndërkombëtar tha se të paktën 40 persona mbetën të vrarë si pasojë e bombardimeve në qytetin e Homs, ndërkohë që në një video që qarkullon në internet, tregohen 13 trupa të pajetë, në pamje të parë viktima të një ekzekutimi në masë të kryer nga ushtria.

Ndërkohë, Turqia deklaroi se numri i refugjatëve sirianë është dyfishuar që nga momenti kur presidentit Bashar al-Assad vendosi të pranojë planin e paqes prej gjashtë pikash, të propozuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Kofi Annan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›