Gjakmarrja, Shamata: Ulet numri i fëmijëve të ngujuar
Problemi i gjakmarrjes në vendin tonë po shkon drejt zbehjes. Kështu ka deklaruar zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Shamata, duke u bazuar në shifrat e fëmijëve të ngujuar dhe që vazhdojnë shkollën, ka deklaruar se shifrat flasin se çështja e gjakmarrjes po shkon drejt përmirësimit. Ai ka deklaruar se deri në fund të vitit 2009 janë konfirmuar 62 fëmijë të ngujuar që vijojnë mësimet në rrethana të ndryshme, ku 37 prej tyre nëpër shkolla të improvizuara që gjenden brenda lagjeve. Ndërkohë, Shamata ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që këtyre fëmijëve t'u ofrohet edhe shërbimi i psikologut. Gjatë punës në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë u raportua dhe u diskutua për situatën e gjakmarrjes në Shqipëri dhe ngujimit të fëmijëve.