E Diel, 1 Nëntor 2026

Kusht pranimi zotërimi i anglishtes me testet ndërkombëtare

30/04/2010 Ndryshimet në ligj për studimet e larta “Bachelor” dhe “Master”

Ndjekja e studimeve të larta do të kushtëzohet nga njohja e gjuhës angleze. Duke filluar që nga viti i ardhshëm akademik, gjuha angleze do të jetë kusht jo vetëm për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve sipas procesit të Bolonjës, por edhe në ndjekjen e masterit dhe doktoraturës. Lidhur me ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë kreu i arsimit Myqerem Tafaj ka shpjeguar se synohet që në maturën e vitit 2011 të lëshohet “Diplomë e Maturës Shtetërore”. Kështu, në maturën e vitit 2012-të kjo diplomë do të përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze. Kështu, studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë janë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Evropës. Studimet e larta do të fillojnë me sistemin “Bachelori” me kohëzgjatje 3 vjet akademike. Në këtë mënyrë garantohet ekuivalenca e krediteve dhe të kësaj diplome me çdo vend tjetër që ka aderuar në marrëveshjen e Bolonjës. Sistemi “Bachelor” sipas Bolonjës mund të jetë i dy natyrave ose tipave. Ai mund të jetë i orientuar ngushtësisht me një profesion, dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike. Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një studim i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t’u thithur nga tregu i punës. “Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë “Bachelor” nuk është kaq i lehtë. Për këtë qëllim universitetet duhet të zhvillojnë një “Bachelor”, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe u krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve të kenë mundësi të zgjedhin jo një master në atë fushë ku kanë kryer “Bachelori”, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta, si për shembull, mundësia që nga “Bachelori” i Ekonomisë studentët të vazhdojnë një master në të Drejtën Ekonomike. Ky është një nga parimet kryesore të Bolonjës, i njohur si fleksibiliteti i studimeve për të transferuar kreditet nga një drejtim studimi në një tjetër. Në ciklin e dytë të studimeve ndryshimi që ndodh është se do të përdoret përsëri emërtimi “Master”, por jo më “Master i nivelit të parë”, por thjesht “Master” dhe në vend të “Diplomë e nivelit të dytë”, Master i shkencave. “Masteri i shkencave” zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt kërkimor dhe me një tezë të shkruar të masterit. “Masteri i shkencave” është diploma që të çon në studimet e doktoratës.

Masterat profesionalë

Krahas “Masterit të shkencave” është edhe diploma “Master”, që përfshin studime universitare të ciklit të dytë, të orientuara në një drejtim profesional. Kjo diplomë realizohet për një vit e gjysmë dhe përmban 90 kredite. Edhe në këtë master studentët do të japin provimin e gjuhës angleze. Në të gjitha vendet që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës dhe që kanë zbatuar “Bachelor”-in me 180 kredite, masterat zgjasin 1.5 ose 2 vjet. “Ne u garantojmë me këtë standard të rinjve që të kenë një diplomë që përmban 270 kredite dhe që plotëson të gjitha kushtet për t’u njohur në çdo vend evropian.”

Masterat te Mjekësia e Arkitektura

Në shkenca të tilla si Mjekësia dhe Arkitektura do të vazhdojnë studimet e integruara të ciklit të dytë, që zgjatin 5 vjet dhe kanë së paku 300 kredite. Këto studime përfundojnë me diplomën “Master i shkencave”, kusht do të jetë gjuha angleze. Në ciklin e dytë dhe të tretë nuk figuron “Masteri i nivelit të dytë”. Ai është hequr për shkak se nuk ka ekuivalent të tij në vendet e tjera. Ishte një diplomë që zgjaste vetëm një vit me 60 kredite dhe nuk përcaktonte qartë, nëse ishte orientuar në shkencë apo në drejtim profesional. Si e tillë, nuk njihej nga shkollat e huaja, ndaj u vendos që ky lloj masteri të hiqet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›