Gjakmarrja zbret në Tiranë, vritet i moshuari nga Mamurrasi
Tiranë- Fenomeni mesjetar i gjakmarrjes ka shënuar sot viktimën e rradhës por kësaj here në metropolin e vendit, Tiranë.
Një i moshuar ka mbetur i vdekur me armë zjarri në rrugën Hoxha Tasim dhe dyshohet se autorët janë familjarët e fëmijës 9-vjeçar që u vra në muajin Qershor në Mamurras.
Viktima është Mark Shkreta, i ati i Altin Shkrëtës, autorit që vrau 9-vjeçarin I.Llanaj me 5 Qershor dhe la të plagosur xhaxhanë e tij i cili ishte edhe objekti i atentatit në Mamurras.
Sipas policisë viktima është qëlluar me dy plumba pranë farmacisë numër 5 në Tiranë. Ndërkohë policia ka bërë me dije se dyshon që autori i krimit po lëviz me një fuoristradë të zezë, i cili mund të jetë Jetmir Llanaj. Ndërkaq postoblloqe të shumta policie janë ngritur në daljet e kryeqytetit ku po punohet për kapjen e autorit.
Gjakmarrja nisi më 5 Qershor në Mamurras rreth orës 14:00 të së martës kur një 9-vjeçar me iniciale I.LL ka mbetur i vdekur si pasojë e plumbave që ka marrë brenda në makinën ku po udhëtonte në vendin e parë të pasagjerit në prehërin e nënës së tij e cila i shpëtoi plumbave.
Nga atentati ka mbetur i plagosur shtetasi Muharrem Llanaj, 62 vjeç, xhaxhai i fëmijës që humbi jetën. I cili sipas policisë ka qënë edhe objekti i sulmit. Policia pas shqyrtimit të të dhënave tha se autorët janë dy vëllezërit Shkreta, me të cilën 62-vjeçari ka pasur një konflikt.
/IDEA/