Siri, vritet ministri i Mbrojtjes
Luftime të ashpra mes forcave qeveritare dhe atyre opozitare në kryeqytetin sirian, Damask
Është vrarë në Damask ministri i Mbrojtjes së Sirisë, Daud Raxha, ndërsa janë plagosur disa zyrtarë të regjimit të presidentit, Bashar Al Asad, njoftuan mediat shtetërore të këtij vendi.
Vrasja e zyrtarit të lartë të ekzekutivit sirian erdhi pasi një person hodhi veten në erë në një ndërtesë të forcave të sigurisë në Damask.
Shpërthimi erdhi në kohën e ashpërsimit të luftimeve ndërmjet forcave qeveritare dhe atyre opozitare, të cilat kanë hyrë në ditën e katërt.
Raporti i televizionit shtetëror bëri të ditur se personi me bombë ka synuar të sulmojë ndërtesën e forcave kombëtare të sigurisë.
Në ndërkohë, Këshilli i Sigurimit pritet të votojë gjatë ditës mbi një rezolutë me të cilën synohet t’i jepet fund krizës në Siri.