E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakoset diskoja në Durrës, studenti tenton te therë me thikë tre persona

Një sherr masiv në një disko në plazhin e Durrësit ka kulmuar me tentativën për të therur me thikë tre persona nga një student i vitit të tretë të ekonomikut në Universitetin e Tiranës. Bledar Plaku, 31 vjeç, është arrestuar pasi ka tentuar të therë me thikë tre persona, dy prej të cilëve ishin pjesë e personelit të diskos, ndërsa i treti ishte klient në këtë disko. Plaku i është sulur me thikë në dorë duke e prerë në fyt në fillim një person që shërbente në disko dhe më pas ka plagosur banakierin dhe një klient. Që të tre këta persona kanë mbetur të plagosur. Burimet policore kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit në diskon "Kolombo", e cila gjendet në lagjen 13 në plazhin e Durrësit. Burimet e policisë së Durrësit kanë shtuar se në këtë orë, studenti i lindur në Tropojë dhe banues në lagjen 9 të Durrësit, së bashku me një shok të tij E. K.,  22 vjeç, banor i lagjes 16 në Durrës janë konfliktuar me klientë të tjerë në disko, pas konsumimit të një sasie të konsiderueshme pijesh alkoolike. Në fillim palët kanë shkëmbyer të shara e grushte. Për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë ka ndërhyrë personeli i shërbimit të kësaj diskoje për të ndarë të rinjtë, por pikërisht në këtë moment Bledar Plaku ka nxjerrë thikën duke prerë në fyt njërin nga personat e shërbimit Besnik Rucin, ndërsa pas tij ai ka plagosur po me thikë edhe Ervin Gjuzin, banakier në lokal dhe Bernard Lamen, klient në kohën që ka ndodhur konflikti. Në përkrahje të shokut të tij është ngritur dhe ka filluar të godasë edhe E. K., 22- vjeçar. Ai ka qëlluar me mjete të forta mbi personelin e diskos, ndërkohë që policia deklaron se 22- vjeçari ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e Durrësit për ngjarjen e datës 1 nëntor të vitit të kaluar në lagjen 3 të Durrësit. Në këtë ngjarje shtetasi me inicialet E. K., ka tentuar të vrasë me thikë shtetasit Glen Baraj dhe Erdoan Deshiri. Në këtë sherr masiv që ka përfshirë të gjithë diskon "Kolombo", kanë mbetur të plagosur shumë vetë, ndërkohë që policia ka filluar procedimin penal për disa të rinj të tjerë që janë përfshirë në atë sherr duke përdorur mjete të forta. Kështu policia ka filluar procedimin penal për Besnik Nelin, 22 vjeç, Dorjan Hoxhën, 24 vjeç, Agim Myftarin 26 vjeç dhe Xhaferr Nelin, 23 vjeç që të gjithë nga Durrësi, të cilët akuzohen për veprën penale plagosje të lehtë me dashje. Ndërsa mbi studentin Bledar Plaku dhe 22- vjeçarin E. K., rëndojnë akuzat për vrasje të mbetur në tentativë. Nga kjo ngjarje e rëndë kanë mbetur të plagosur pas goditjeve me sende të forta 5 shtetasit Bernard Lama e Ymer Dunga nga fshati Pezë në Tiranë, si dhe Besnik Ruci, Bernard Lama e Ervin Gjuzi. Të gjithë këta persona janë dërguar në spitalet e Durrësit dhe Tiranës. Tashmë pas këtij sherri bilanci duket mëse tragjik pasi përveçse disko është shkatërruar në ambientet e brendshme, janë 8 persona që kanë mbetur të plagosur, tre prej të cilëve me thikë dhe 5 të tjerë me sende të forta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›