Gjaku me gjak lahet
Gjakmarrja, fenomeni më i përfolur në aktualitetin shqiptar. Për të është shkruar, është aktruar dhe trajtuar me forma nga më të ndryshmet, e megjithatë, përpos rezultatit, regjisorë, skenaristë insistojnë në sensibilizimin nëpërmjet artit. Dhimbja ndaj këtij fenomeni për shumë shqiptarë, kryesisht në veri, është ngjizur brez pas brezi, duke mos përjashtuar as naivitetin e fëmijëve. Kësaj here do të ndodhë ndryshe. Sërish gjaku do të lahet me gjak, por në një tjetër mënyrë, duke treguar fillimisht shpirtin human dhe faljen hyjnore. Regjisori Ylli Pepo, më datë një qershor do të sjellë një tjetër produksion filmik, në të cilin trajton fenomenin e gjakmarrjes. Jo pa qëllim na e servir në këtë ditë, shënuar si festa e fëmijëve, pasi qëllimi i saj është mbrojtja e kësaj kategorie nga dukuri negative si gjakmarrja. Në një intervistë, Pepo tregon më gjerë për këtë film me metrazh të shkurtër, që është bazuar në një histori të vërtetë.
Intervistoi: Suela Furriku
Zoti Pepo, kemi mësuar se keni në dorë një produksion tjetër filmik. A mund të na tregoni diçka më shumë për të?
Filmi është bazuar në një ngjarje reale, ku vetë një gazetare e njohur e me shumë eksperiencë në radio Tirana, Suzana Zyrakja, ka shkruar një tregim për gjakmarrjen. Dihet që ky është një fenomen ende aktual në Shqipëri dhe viktimat e tij janë shumë njerëz, fatkeqësisht shpeshherë edhe fëmijë. Zyrakja është mbështetur në ngjarjet e ditës, në shërbimet e saj jashtë Tiranës, kur pasqyronte gjithë aktualitetin e asaj kohë në Shqipëri. Më saktë, ajo ka marrë një ngjarje reale, ku një nënë e cila jetonte në zona të thella të pjesës veriore, ruan fëmijët e saj nga hasmi që nuk u kishte falur gjakun. Bashkëshorti i saj ka kryer një krim dhe për këtë ai ishte dënuar me burgim. Madje, ajo edhe ishte divorcuar, por pavarësisht kësaj, ai ngul këmbë që njeri prej djemve duhet të vdesë. Kjo, pasi vetëm kështu duhet të lahej gjaku me gjak. Në këto rrethana gruaja detyrohet që të dalë vetë për të punuar, për të siguruar të ardhurat për fëmijët e saj dhe veç kësaj të ishte gjatë gjithë kohës nën alarm për fatin e tyre që lë në shtëpi se mos papritur do të ndodhë gjëma. Një ditë, vetë gruaja, e cila është epiqendra e historisë së trajtuar, rastis të jetë dëshmitare e një aksidenti. Një fëmijë bie nën rrotat e një makine dhe ishte pikërisht kjo grua që e merr fëmijën dhe e dërgon menjëherë në spital për t’i dhënë ndihmën e shpejtë. Pas pak, nga mjekët që e morën përsipër, mëson se fëmija i aksidentuar është në gradën e tij të fundit dhe e vetmja mundësi shpëtimi ishte një sasi e konsiderueshme gjaku, që mungonte. Kështu, gruaja pa u menduar më gjatë, tregohet e gatshme për të dhuruar gjak për një fëmijë të panjohur dhe pas një momenti, kur fëmija po përmirësohej, në derën e dhomës fanepset hasmi, i cili kishte koinciduar edhe babai i fëmijës së aksidentuar. Në këtë mënyrë, ai, pra hasmi, ndihet i detyruar që të falë gjakun dhe gjithçka do të kthehet në normalitet. Gjesti human i nënës bëri që gjakësi të kuptonte që gjëja më e mirë ishte që njerëzit të falin njëri-tjetrin dhe të jetojnë në një harmoni të përbashkët. Kjo ishte edhe historia që më shtyu të bëja një film me metrazh të shkurtër.
Cilët janë aktorët që do të sjellin këtë histori?
Më financim të Radiotelevizionit Shqiptar dhe gjithashtu edhe me një ekip të zgjedhur nga ky institucion unë kam gjiruar për disa me radhë në qarkun e Shkodrës me aktoren e mirënjohur të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare, Yllka Mujo. Kjo e fundit, pasi lexoi skenarin, shprehu dëshirën që të merrte pjesë në këtë film, në mënyrë që të lunte rolin e kësaj nëne të ditëve tona, e cila veç kësaj, do të vinte edhe si një person social që kërkon të marrë fund një nga fenomenet më të hidhura të shoqërisë të sotme, gjakmarrja. Së bashku me Yllka Mujon, kanë marrë pjesë edhe aktorë të tjerë të njohur të skenës dhe ekranit, si Enver Osmani, Zef Nikolla, si dhe dy fëmijët e talentuar Taulant Begaj dhe Kristi Kacabej, me të cilët kemi xhiruar buzë liqenit të Shkodrës në fshatrin Zogaj dhe atë Shirokë si dhe në Malësinë e Thethit. Mendojmë se kemi realizuar një produksion të arrirë. Filmi zgjat rreth 20 minuta dhe pikërisht në këtë interval të shkurtër kohor zhvillohet e gjithë kjo dramë e madhe e shpirtit njerëzor.
Kur keni vendosur të organizoni premierën e këtij filmi?
Premiera është vendosur që të organizohet më datën 31 maj, ndërkohë që filmi të transmetohet më datë 1 qershor, pikërisht në ditën e fëmijëve.
Është e rastësishme kjo datë apo fshihet ndonjë tjetër qëllim pas këtij vendimi?
Fillimisht dua të nënvijëzoj që filmi nuk është për fëmijë. Ky realizim është një apel për të mbrojtur fëmijët. Për këtë unë mbështetem shumë në thënien e madhe të Ajnshtajnit, i cili shprehet: “Nuk mund të ketë asnjë komb të qytetëruar, nëse në të ka qoftë edhe vetëm një fëmijë të palumtur”. Kjo është një shprehje shumë e bukur që flet shumë. Prandaj, në qoftë se kërkojmë që të jemi të qytetëruar dhe kërkojmë vërtet të festojmë datën “Një Qershor” e cila u takon të gjithë fëmijëve, duhet që të mbyllet kjo plagë e madhe e gjakmarrjes. Përderisa ka akoma fëmijë të ngujuar, s’mund të ketë “Një Qershor” të gëzuar. Në këtë kuptim filmi do të transmetohet në këtë datë më shumë si një lloj apeli për të gjithë që t’i thonë një herë e mirë “stop” gjakmarrjes dhe veçanërisht kundrejt fëmijëve.
Pak më lart, ju thatë që kjo është një ngjarje reale, ndodhur disa vite më parë, e përcjellë nga një gazetare e RTSH-së. Po tek ju si regjisor, si ndikojnë histori të tilla të vërteta, teksa ju duhet të na e tregoni edhe një herë nëpërmjet shiritave?
Pa diskutim që në një ngjarje reale duhet të jesh më tepër eksigjent sesa në një ngjarje tjetër fiction. Kjo për arsye se një histori reale kërkon që të ruash besnikërinë dhe vërtetësisë e saj dhe nuk mund të bësh lojëra të ndryshme me kamerën, pasi ajo do të komprometohet. Për këtë edhe unë jam përpjekur që të ruaj autenticitetin e ngjarjes, karakterin e asaj gruaje nëpërmjet figurës aktoreske të Yllka Mujos dhe të jap një mesazh të caktuar të gjithëve, i cili është mjaft i qartë, konciz dhe i domosdoshëm.
Në fakt, deri tani janë realizuar shumë filma, dokumentarë apo në këtë rast edhe një film me metrazh të shkurtër. Ku qëndron veçantia e këtij produksioni me qëllim që të mos bjerë në përsëritje të filmave të tjerë?
Po, është e vërtetë dhe unë nuk do të doja të bëja asnjëherë një film për gjakmarrjen pikërisht për atë që sapo theksuat ju. Dihet që për gjakmarrjen është folur shumë, qoftë letërsia, teatri apo kinematografia kanë insistuar në tragjizmin e këtij fenomeni. Dhe gjithmonë ngjarjet e treguara në këto vepra letrare apo artistike kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Në këtë rast në mënyrë jo artificiale është fjala për një ngjarje që përfundon një mënyrë jo tragjike, është një mesazh krejt ndryshe, pra me orientim tashmë pozitiv. Mendoj se kjo është meritë e veçantë e skenaristes Suzana Zyrakja, e cila ka këmbëngulur që të ndezë një dritë në fund të tunelit dhe te ndriçojë anën pozitive të një ngjarjeje që përfundon në mënyre shumë tragjike. Kjo është e veçanta.
Sa ndikojnë filmat në sensibilizimin e njerëzve për këtë fenomen?
Mendoj se filmat që mbartin me vete mesazhe të tilla ndikojnë shumë, dhe pozitivisht madje. Edhe në këtë rast, siç është fjala për një film me metrazh të shkurtër, do të japë të njëjtin efekt. Jo gjithçka zgjidhet nëpërmjet serive. Mund të jetë një film me një minutazh të shkurtër e ndodh shpesh që të jetë shumë më tërheqës se një film me metrazh të gjatë apo me seri njëra pas tjetrës. Unë i kam lëvruar të dyja zhanret dhe kam kuptuar se shumë gjëra mund të thuhen me anë të shumë serive në varësi të ngjarjeve, por shumë mirë një histori e caktuar mund të tregohet edhe në një kohë të shkurtër, për rreth 20 minuta.
Dihet që teknika e RTSH-së lë pak për të dëshiruar. Si do të procedohet në këtë rast?
Tani për tani, ne kemi probleme, por tashmë Televizioni Shqiptar do të hyjë në rrugën e dixhitalizimit, një udhë që po kryhet me sukses nën drejtimin e drejtorit teknik, Agron Aranitasi, dhe në këtë kuadër edhe xhirimi i filmave me HD do të bëjë që ata të hyjnë në tregun ndërkombëtar. Mjafton t’u tregoj se këtë vit do të marrim pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër mes shumë shteteve të tjera të botës, “Prix Italia”. Këtë vit Shqipëria do të konkurrojë me dy filmat e mi, “Beratinus” dhe “Edhe unë jam si ti”, i cili është një produksion shumë aktual që trajton fëmijët romë në vendin tonë.
Pse duhet t’i tregojmë botës vetëm anët tona negative, fenomene si gjakmarrja?
Ne mund të flasim për një fenomen negativ, por personazhi që lufton është tepër pozitiv, shumë human dhe interesant për publikun e huaj. Nuk mund t’i fshehësh botës ato fenomene që ti kërkon të rregullosh. Në këtë drejtim arti jep një kontribut të veçantë. Nuk mendojnë se duke i fshehur këto dukuri ne kemi mundësi të tregohemi para botës më të mirë se ç’jemi, por jemi të tillë kur themi gjithmonë të vërtetën dhe kur pasqyrojmë thellësinë e shpirtit dhe karakterit të njerëzve.
Yllka Mujo interpreton rolin e nënës, gruas që luan dhe rolin kryesor të filmit. Pse pikërisht këtë aktore?
Kam zgjedhur Yllkën, sepse sot për sot është një nga aktoret më të mira shqiptare për nga forca autoriale, për nga mënyra e interpretimit dhe vlerat që ka. Ajo ka një bagazh shumë të madh rolesh, një eksperiencë të gjatë në kinema dhe për mua ishte një nder që ajo pranoi të luante në këtë film.
Sa ka kushtuar ky film?
Filmi ka kushtuar një milion e njëqind mijë lekë. Një shifër modeste, pasi kishte shumë skena të vështira që kërkonin një fond të posaçëm, por megjithatë, ne kemi arritur t’i kalojmë këto barriera. Aktualisht filmi është në proceset e fundit të post-produksionit dhe po bëhet gati që të transmetohet më datën një qershor.