Prapë premtime për muze të antikomunizmit
Rikthehet vëmendja ndaj muzeut të Shkodrës. Ka pesë vjet kjo histori dhe pikërisht tani shteti jep 57 milionë lekë
Del sërish në skenë historia e vjetër për një muze të krimeve të komunizmit në qytetin e Shkodrës. Shteti shqiptar ka akorduar 57 milionë lekë të rinj për këtë projekt, i premtuar nga ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj. Lajmin e ka bërë të ditur drejtorja e Departamentit të Urbanistikës në Bashkinë Shkodër, Aida Shllaku. Si fillim do të bëhet rikonstruksioni i mjediseve të ish-degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, si dhe i burgut, i cili ndodhet në oborrin e këtij objekti.
Projekti synon ruajtjen e autenticitetit të godinës ekzistuese, në muret e së cilës ruhen edhe pak shkrime të të dënuarve politikë në vitet '50-'60-të. Ideja për ndërtimin e një muzeu të tillë në qytetin e Shkodrës, rajon që ka mbajtur vërtet peshë të rëndë nga persekutimi dhe krimet e regjimit 45-vjeçar të Enver Hoxhës, ka rreth 5 vite që është hedhur dhe kanë qenë të persekutuarit politikë të Shkodrës që e kanë kërkuar këtë gjë.
Projekti ishte lënë në harresë nga Ministria e Kulturës, ndërsa ka tre vjet që Bashkia e Shkodrës ka paraqitur projektin për rikonstruksionin dhe kthimin e ish-burgut dhe hetuesisë në muze.
Ambientet janë të amortizuara dhe ndodhen ngjitur me ndërtesën e ish-degës së Brendshme dhe selisë së Sigurimit të Shtetit në Shkodër, e cila u është kthyer pronarëve të mëparshëm, Kolegjit Serafik të Provincës Françeskane Shqiptare.
Janë ruajtur të paprekura nga pronarët, Kisha Françeskane dhe i janë vënë në dispozicion bashkisë për muzeun e ardhshëm. Në projekt është parashikuar që kati i dytë të shërbejë për pavijone ekspozimi të objekteve të atyre që vdiqën e vuajtën në tortura.
Shkodra, në vitin 1946 kishte 13 burgje, deri kur erdhi momenti që të dënuarit i fusnin tek burgu ish-degës së Brendshme. Si qark, Shkodra ka 601 të pushkatuar nga regjimi komunist, 136 të vdekur ndër burgje, 2846 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë. Ky muze do të tregojë kalvarin e qindra shkodranëve.