Antigona e komunizmit
"Shpirti im nuk do të gjejë prehje as në botën tjetër, në qoftë se nuk e gjen dhe ma varros djalin".
Bazuar në një amanet si ky, regjisori Mihallaq Luarasi ka shkruar dramën "Antigona kërkon të atin".
Premiera në Teatrin Kombëtar
Pjesën e parë të sezonit artistik për vitin 2009, Teatri Kombëtar e mbyll me një dramë sociale. Mihal Luarasi vë në skenë veprën që shkroi pas hapjes së Ekspozitës së Krimeve të Komunizmit", "Antigona kërkon të atin". Ka dy javë që regjisori Luarasi ka nisur punën për pjesën që do të shfaqet në fund të qershorit. Një vajzë e re niset të kërkojë eshtrat e të atit të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Ndihma e saj e vetme është një nga ushtarët që ka qenë pjesë e skuadrës që i pushkatoi të atin.
Ky njeri është i vetmi që ndihet fajtor për atë që ka ndodhur, kur në gjendje të tillë duhet të jenë ata që dhanë urdhër për ekzekutimin e mijëra njerëzve. Për këtë dramë Luarasi ka zgjedhur një ekip aktorësh, që u përkasin dy brezave. Rolin e Antigonës ia ka besuar aktores së re Ina Gjonçi, pushkatari është edhe ai një aktor i ri, Gjergji Mena, pjesa tjetër janë emra të njohur të skenës, Edi Luarasi (nëna e Antigonës), Fatos Sela (i ati i pushkatar) dhe Ahmet Pasha.
Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Klajdi Ymeri. Luarasi thotë se kjo dramë është një thirrje që ai i bën shoqërisë shqiptare që të ndryshojë qëndrim ndaj krimeve të së kaluarës. Në intervistën e mëposhtme, ai zbulon disa detaje të veprës.
Z. Luarasi, cila ishte shtysa që ju nxiti të shkruani "Antigona kërkon të atin"?
Jam influencuar nga ekspozita e "Krimeve të komunizmit" që u bë në Muzeun Kombëtar, në muajin shkurt, megjithëse e kam pasur gjithmonë në mendje një subjekt të tillë. Madje, kam në mendje edhe një temë tjetër që është shumë e madhe, por që nuk zgjidhet në teatër, "Revolta e Spaçit". Ajo është e para dhe e vetmja kryengritje e madhe në burg, e të gjitha vendeve komuniste.
Çfarë ka të përbashkët Antigona juaj me Antigonën e Sofokliut?
Antigona e antikitetit është një vajzë, e cila do të varrosë eshtrat e të vëllait, i cili ishte dënuar nga mbreti që të mbetej pa varr. Antigona nuk merret me çështjen e dënimit, për të i vëllai, si çdo njeri tjetër, duhet ta ketë një varr. Ajo varros të vëllanë duke shpërfillur kërcënimin për dënimin me vdekje që ka bërë mbreti dhe dënohet me vdekje. Drama ime flet për vajzën e një të pushkatuari, që nuk i gjendet varri.
Antigona ime kërkon eshtrat e të atit në mënyrë që ta varrosë sipas këtij ligji natyror që i referohet edhe Antigona e antikitetit: "Secili njeri duhet të ketë një varr në këtë botë". Drama merret pikërisht me peripecitë, me kërkimet që bën kjo vajzë për të gjetur eshtrat e të atit.
Ajo ka qenë 13 vjeç kur i kanë pushkatuar të atin, por ka një amanet që ia ka lënë gjyshja e saj, e cila e vuante shumë mosvarrimin, pasi ishte një grua që ndjek traditën, që të gjithë njerëzit duhet të kenë një varr. Duke vdekur ia la amanet Antigonës: "Shpirti im nuk do të gjejë prehje as në botën tjetër, në qoftë se nuk e gjen dhe ma varros djalin". Nëna e saj është e sëmurë dhe nuk lëviz dot, por edhe ajo do që i shoqi të ketë një varr.
Ku arrijnë kulmin peripecitë e Antigonës suaj?
Sigurish që ca gjëra në teatër nuk bën të tregohen, sepse pastaj humbet kërshëria për ta ndjekur. Sidoqoftë, drama ka shumë ndeshje brenda, sepse kërkimet e Antigonës nuk janë të lehta. Ndeshet me njerëz që e pengojnë, që duan t'ia heqin vullnetin për ta bërë këtë gjë. Sigurisht që gjen një mbështetje, se gjithë çështja është që të gjesh dikë që të dijë se ku mund të jenë këto eshtra. Ajo gjen pikërisht njërin nga ushtarët e skuadrës së pushkatimit që i ka ekzekutuar të atin.
Linja kryesore është pikërisht e këtij djali që ka qenë një ekzekutues, të cilin e vret ndërgjegjja për atë që ka bërë, paçka se nuk e ka bërë me vullnetin e tij, por me urdhër të shtetit, të diktaturës. Ai është një njeri kaq i ndjeshëm, kaq i shqetësuar për këtë që ka bërë, sa e vuan që prej 15 vjetësh këtë gjë. E konsideron veten vrasës. Kjo është edhe çështja që shtrohet sot: "Çfarë qëndrimi mban shoqëria shqiptare ndaj krimeve të së kaluarës". Flitet edhe shkruhet shumë, por krimet e komunizmit ende nuk janë dënuar.
Angazhimi juaj nëpërmjet artit ka qëllim të bëjë thirrje ndaj këtij qëndrimi?
Po. Do përpiqemi t'i themi shoqërisë shqiptare se çfarë duhet bërë. Ai djalë që paraqitet vullnetarisht dhe që e ndjen fajin, në fakt ai nuk është fajtor. Fajtorët e vërtetë, ata që urdhëronin krimet, ata nuk po paraqiten që t'i kërkojnë të falur shoqërisë shqiptare dhe familjarëve të viktimave të tyre. Një nga problemet që shtron drama është çështja e shkëputjes nga e kaluara, të atyre politikave dhe politikanëve që janë trashëgimtarë, në një farë mënyre, të atij regjimi, të asaj kohe. Këta nuk po e bëjnë hapin e distancimit nga figura qendrore e diktaturës.
Antigona është një personazh që ju e keni njohur realisht?
Është një personazh i sajuar. Unë kam takuar shumë njerëz, bij dhe bija të këtyre të pushkatuarve që bëjnë kërkime. Antigona nuk është një nga këta. Në përgjithësi, kërkimet, fatkeqësisht, më shumë i bëjnë vëllezërit, motrat dhe ndonjë prind që është gjallë. Nëpërmjet dramës unë bëj një thirrje tjetër që të mund të gjenden, të paktën në një masë të madhe, se të gjithë nuk mund të gjenden, për arsye se format me të cilët groposeshin atëherë, shumë eshtra nuk mund të gjenden.
Por duhet të vërë dorë edhe shteti në mënyrë që kërkimet të bëhen të organizuara. Në të gjitha vendet ish-komuniste, që kanë ekzekutuar njerëz në këtë formë, janë gjetur skeletet dhe janë bërë varrime solemne, varrime zyrtare. Sepse dhe kjo ka të bëjë me shkëputjen nga e kaluara, me ndarjen e vendit tonë nga epoka e komunizmit.
Cila do të jetë rruga e dramës?
Përveçse në Teatrin Kombëtar dua ta shfaq edhe në Fier, meqenëse ngjarjet e personazhit kryesor ndodhin në këtë zonë. I pushkatuari ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm të naftës në Fier. Më pas, ndoshta edhe në ndonjë qytet që mund të ketë skenë, brenda rrethit të Fierit. Shfaqjen e parë që duam të japim, si këtu në Teatrin Kombëtar, si në Fier, do ta japim ekskluzivisht vetëm për të përndjekurit, pastaj do të jepen shfaqjet normalisht.