E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjallë”, premiera në Austri

24/06/2009  Është një nga festivalet më të rëndësishme të filmit pas Kanës, ndaj për regjisorin shqiptar Artan Minarolli nuk është një ngjarje pa rëndësi shfaqja e premierës së filmit të tij të ri në “Karlovy Vary International Film Festival" në Çeki. Filmi i tij “Gjallë” ende nuk ka shfaqur premierën e tij në Shqipëri, por ka vendosur që “udhëtimin” te publiku ta nisë me Çekinë. Së bashku me aktorin kryesor të filmit, Kreshnik Xhelilaj, regjisori do të jetë i pranishëm gjatë shfaqjes së filmit në datën 5 korrik (për medien) dhe në datën 6-7 korrik për jurinë e festivalit. Filmi, me skenar dhe regji të Minarollit, prek një temë shqiptare tepër të prekshme siç është gjakmarrja, duke rrokur fort në trajtimin e tij të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Bazuar në skenarin e Ylljet Aliçkës (një bashkëpunim që duket se Minarolli e ka shumë për zemër), ngjarjet e filmit vendosen në vitin 1997, në kohën e trazirave në Shqipëri. Në qendër është Koli, djaloshi malësor, studenti i vendosur në metropolin shqiptar, por që është edhe viktima e radhës së gjakmarrjes. I kthyer papritur në Malësi pranë familjes së tij pas lajmit për vdekjen e të atit, pikërisht në varrim ai mëson për të parën herë se është pjesë e zinxhirit të një gjakmarrjeje. Krah aktorit Nik Xhelilaj interpretojnë edhe emra të tjerë, si Bruno Shllaku, Reshat Arbana, Niada Saliasi, Tinka Kurti, Xhevdet Ferri, Luljeta Bitri etj. Filmi, një bashkëprodhim shqiptaro-austriako-francez, ka mbyllur xhirimet në gusht të 2008-s, ndërsa postproduksioni i tij është realizuar në Austri. Një pjesë e mirë e xhirimeve është realizuar në Lurë, por kanë qenë edhe rreth 60 vende të tjera xhirimi. Për publikun në Shqipëri premiera e "Gjallë" mendohet të jetë në shtator.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›