E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rikthen 3 gjyqtarët e pushuar nga puna

24/06/2009  Rrëzohet vendimi i KLD-së, rikthehet në detyrë Gaba dhe dy vartësit

Odiseja e gjatë e akuzave dhe mbrojtjes përfundon në favor të 3 gjyqtarëve të Vlorës

TIRANË- Për të dytën herë pas atij vendimi që u dha për gjyqtarët e Durrësit, të cilët liruan Mihal Delijorgjin, Gjykata e Lartë ka rrëzuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dje pas një seance të gjatë dhe debatesh në proces, kanë fituar betejën tre gjyqtarë të Vlorës, Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari. Gjykata e Lartë ka shfuqizuar vendimin e KLD-së që i pushoi nga detyra duke i dhënë të drejtën e rikthimit në punë. Për Gjykatën e Lartë, largimi i kësaj treshe ka qenë i planifikuar dhe është bërë me tendencë. Gjinovefa Gaba, ish- kryetarja e gjykatës së Vlorës dhe dy vartësit e saj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, merren në shqyrtim nga kolegji i Gjykatës së Lartë. Për disa orë me radhë dje Kolegji Civil është mbledhur në dhomën e këshillimit për t’i kthyer përgjigje tre gjyqtarëve të Apelit, shkarkuar gati një vit më parë me vendim unanim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Inspektorët e KLD-së gjetën shkelje të rënda në punën e Gabës dhe dy kolegëve të saj. Vetëm për Gabën u gjetën 15 shkelje gjatë gjykimit të dosjeve penale dhe civile në gjykatën që ajo drejtonte prej disa kohësh. Gjatë kohës që u morën në shqyrtim nga KLD-ja shkeljet kundër tre gjyqtarëve, Gaba është mbrojtur duke hedhur poshtë gjithçka. Por dosja u dorëzua në KLD nga ministri i Drejtësisë, i cili më parë i shqyrtoi inspektimet dhe doli në përfundimin se Gaba me dy vartësit duhej shkarkuar. Pikërisht ky shkarkim i bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ankimua në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarja nuk mund të pranonte largimin nga detyra vetëm me një urdhër si e ka quajtur ajo të ministrit të Drejtësisë. Ministri kërkoi largimin e Gabës për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë kontrollit. Edhe dje në Gjykatën e Lartë mësohet se Gaba e përfaqësuar nga avokati mbrojtës është mbrojtur duke kundërshtuar tezën e ministrit të Drejtësisë duke hedhur poshtë vendimin e KLD-së, i cili e largoi nga detyra. Seanca gjyqësore ka zgjatur për disa orë. Arsyeja e një procesi të tejzgjatur ka qenë shpjegimi i dhënë nga secili gjyqtar dhe më pas mbajtja shënim e çdo fraze.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›