E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time: UT propozon 2360 kuota

24/06/2009  Përveç degës së biologjisë, që do ketë pranime pa limit, programet e tjera janë të kufizuara

Ndryshe nga viti i kaluar, do të pësojnë rritje edhe tarifat e ndjekjes së studimeve në UT

Për vitin e ardhshëm akademik 2360 kandidatë do të kenë mundësinë që të ndjekin studimet e larta me kohë të pjesshme pranë Universitetit të Tiranës. Pas rishikimit të kapaciteteve jo vetëm të ambienteve fizike, por edhe të stafeve akademike që do mbulojnë procesin mësimor, janë propozuar rreth 2360 kuota pranimi, të shpërndara në bazë të programeve studimore që do të ofrojnë këtë cikël studimesh. Përjashtim në këtë rast do të përbëjë vetëm dega e biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku do të pranohen pa limit ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në këtë degë. Bazuar në kuotat e përcaktuara, një pjesë e fakulteteve publike do të përdorin dhe kritere të caktuara për përzgjedhjen e kandidatëve, në rast se kërkesat do të jenë më të larta se kuotat e miratuara. Ndërkohë theksohet se kriteri kryesor i pranimit do të jetë mesatarja, kufiri minimal i së cilës do të përcaktohet sipas fluksit të kërkesave që do të paraqiten. Pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse, është Ministria e Arsimit ajo që do të marrë përsipër miratimin e këtyre kuotave, teksa nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre

Kuotat

Fakulteti i Ekonomikut do të shënojë rekordin më të lartë të pranimeve për sistemin part-time, përkatësisht me 1270 kuota të shpërndara sipas degëve. Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë do të akomodohen rreth 450 kandidatë, kuota këto të shpërndara në mënyrë të barabartë për të tria degët e studimit: gjeografi, historia dhe gjuhë-letërsia. Më pas renditet Fakulteti i Drejtësisë, për të cilin janë propozuar si kuota të mundshme pranimi rreth 400 vende, ndërsa Fakulteti i Infermierisë do të ofrojë studime të pjesshme në degën e infermierisë së përgjithshme, për të cilën janë kërkuar rreth 300 kuota. Gjithashtu pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të akomodohen edhe 240 kandidatë të tjerë.

Tarifat

Ndjekja e studimeve të larta me kohë të pjesshme do të shoqërohet me rritje të faturës financiare që aplikuesit do të duhet të paguajnë për vitin akademik. Ndonëse nuk janë përcaktuar ende tarifat përfundimtare për të gjitha programet e studimit, vetëm për degën e biologjisë tarifa e studimit do të jetë rreth 1 milion lekë (të vjetra). Ndjekja e programit të dytë të studimit pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të kushtojë rreth 60 mijë lekë, ndërsa masteri i nivelit të parë njëvjeçar do të kushtojë rreth 360 mijë lekë. Gjithashtu edhe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ofrohet masteri i nivelit të parë, i cili do të kushtojë rreth 50 mijë lekë. Brenda pak ditëve pritet të detajohet dhe shpërndarja e degëve në formularin A-2, i cili do të jetë vendimtar në caktimin e preferencave për të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në universitetet publike për vitin akademik 2009-2010. Kandidatët do të kenë më shumë se dy javë kohë për plotësimin e formularit të preferencave, i cili do të dorëzohet më 2 korrik 2009.

Kriteri i mesatares

Universiteti Politeknik i Tiranës ka vendosur si kriter për pranimet e reja të studentëve mesataren mbi notën 6. Kjo do të thotë se maturantët që mesataren e lëndëve të formimit bazë e kanë më pak se nota e përcaktuar, nuk do të kenë të drejtë të ndjekin studimet në një nga degët e këtij universiteti. Gjithashtu gjatë vitit të ardhshëm akademik në këtë institucion do të pranohen vetëm studentët që kanë fituar pikët e mundshme për të ndjekur studimet e larta në një nga degët, por që kanë edhe mesataren e lëndëve të formimit bazë mbi 6. Shkak për vendosjen e mesatares janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën që do të studionin.

Afatet e formularit A-2

Udhëzohet që plotësimi i formularit, që zyrtarisht do të nisë në të gjitha shkollat e mesme në fund të këtij muaji, të bëhet me kujdes, në mënyrë që maturantët të listojnë ato degë ku kanë më shumë probabilitet për të fituar. Kjo procedure do të ishte e vlefshme vetëm pasi maturantët të njiheshin edhe me koeficientet e caktuara për llojet e shkollave të mesme si dhe rezultatet e arritura në provimet e detyruara. Kjo në mënyrë që të renditin degët ku mund të arrijnë pikët më të larta për t’u shpallur fitues në universitetet publike, sipas kuotave të miratuara. Nga 10 degë që mund të zgjedhin, nxënësit do të shpallen fitues vetëm në një degë, në degën e tyre të preferuar, të përcaktuar me plotësimin e saktë të formularit A-2.

Universiteti i Tiranës

Propozimet e kuotave në sistemin me kohë të pjesshme për vitin akademik 2009-2010

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë 450

Gjuhë-letërsi - 150

Gjeografi - 150

Histori - 150

Fakulteti i Ekonomisë - 200

Administrim biznesi - 100

Financë e kontabilitet - 100

Fakulteti i Infermierisë - 300

Infermieri e përgjithshme - 300

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Biologji - pa limit

Fakulteti i Shkencave Sociale - 240

Punë sociale - 120

Psikologji - 120

Fakulteti i Drejtësisë - 400

Kuotat për trojet në total arrijnë

212 pranime për të katër vendet:

Kosovë

Maqedoni

Mali i Zi

Preshevë-Bujanovc

Universiteti Politeknik i Tiranës

Kuotat për studimet me kohë të pjesshme

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

Inxhinieri Logjistikë Prodhimi 40

Tarifat e ndjekjes së studimeve të larta për këtë sistem

Sistem me kohë e pjesshme

Biologjia - 100 000 lekë

Masterat e nivelit të parë

Fakulteti i Shkencave Sociale - 360 000 lekë

Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega kimi - 50 000 lekë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›