E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Për tragjedinë e Gërdecit, duhet të kthejmë vëmendjen nga trashëgimia që lanë socialistët

Zoti Gjana cili është komenti juaj mbi ngjarjet e së shtunës në Gërdec?
Së pari duhet të presim që të dalin vlerësimet e organeve të specializuara, për të definuar të vërtetën e plotë, sepse komentet tona janë komente më sipërfaqësore, nuk janë komente që kanë bazë të plotë. Ndaj mendoj se duhet të jemi relativisht të matur në komente për të vlerësuar të vërtetën mbi ngjarjen e Gërdecit. Disa vlerësime mund ti bëjë gjithsekush, mund t’i bëjë dhe unë, çdo qytetar apo politikan. Ka një të vërtetë të pamohueshme: veprime ose mosveprime në zbatim të ligjit kanë sjellë në këtë vend katastrofën. Aktorë të bizneseve të pandershme vendase kanë qenë të përfshira dhe janë lejuar të përfshihen, për efekt të lojës së tregut dhe për efekt të pavëmendjes të ligjshmërisë në Shqipëri, për të përjashtuar nga e drejta e biznesit, për të futur në listat gri dhe në listat e zeza të biznesit ata biznese të cilat herë pas here janë paraqitur si biznese me precedentë. Sepse biznesi i Delijorgjit me kompani nuk është pa precedent. Por për fat të keq, ende në Shqipëri nuk ka arritur edhe për efekt të fraxhilitetit të institucioneve të saj, të informalitetit në ekonomi etj që të rreshtojnë në listat gri dhe në listat e zeza biznese që nuk duhet tu ofrohen tenderimeve dhe prokurimeve publike. Është evidente që në segmente të ndryshme të strukturave të shtetit, ka një mungesë funksioni dhe një mungesë ushtrimi të së drejtës së kontrollit dhe verifikimit dhe investigimit të informimit, përgjegjësi që lidhet me struktura vartëse të ministrive me struktura të tjera të institucioneve të sigurimit.

Një ndër pistat ku po heton Prokuroria është dhe ajo e sabotazhit, sa probabilitet ka që të jetë e vërtetë kjo pistë?
Nuk e bëj enkas, por në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë nga institucionet tona të sigurisë në vend kam pasur shumë herë informacion, jam detyruar të veproj mbi këto informacione për gjëra shumë më të rëndomta sa ekzistenca e një punishteje çmontimi të armëve ku punonin të mitur, ku nuk respektoheshin rregullat, ku mbaheshin sasi municionesh dhe baruti. Ndërkohë që unë kam pasur informacione në cilësinë time si ministër nga këto organe të sigurisë edhe për një furgon me viça që mund të kalonte kontrabandë në kufi apo dhe për një dëm që mund të ishte shkaktuar në një hidrovor apo dhe për disa lopë me brucelozë që ishin në një fermë në thellësi të Vorës. Strukturave të Sigurisë nuk u mungon mundësia për të dhënë dhe për të marrë informacion. Në pikëpamjen time dhe ky është vlerësimi im individual jo në cilësinë e një ministri se sa në cilësinë e një qytetari, të një vëzhguesi, të një njeriu që në politikë është prej shumë vitesh, nuk përjashtoj edhe skema të tjera. Zhvillimet për faktorin shqiptar këto vitet e fundit kanë qenë zhvillimet më pozitive. Duket në Kosovë nuk i fusin dot hundët dhe për efekt të monitorimit të madh ndërkombëtar që ka ajo dhe duke qënë se Shqipëria, është ende një vend ku mund të eksperimentohet me veprime dhe me situata që sjellin një rëndim, një akuzë për atë që është faktor shqiptar në Ballkan, ka disa gjera pastaj që mbeten për tu analizuar në thellësi. Në qoftë se një punëtori në një punishte nuk i lejohej që ta mbante kovën me më shumë se dy kilogramë barut përse duheshin lënë disa tonelata të tëra të grumbulluara atje ? Si ka mundësi që disa media vendase kishin filmuar fëmijë që punonin atje dhe kishin filmuar mungesë të rregullave teknike atje dhe nuk
i bënë kurrë publike por pritën që vetëm pas tragjedisë t’i bëjnë publike? Përse?! Pikëpyetje shumë e madhe tjetër është që përse në bisedat e zhvilluara mes tregtarëve qoftë dhe në rastin e kësaj tregtie të municioneve apo të demontimit bisedat ishin përgjuar, ishin regjistruar dhe nuk ishin bërë publike dhe bëhen publike vetëm pasi ndodh katastrofa në Gërdec ? Përse përpjekjet disamujore janë bërë që në gazeta të mëdha botërore të mund të paraqitet si një aferë e bizneseve korruptive një çështje që kishte lidhje me tregtinë e armëve që është e ligjshme si çdo tregti tjetër? Pra janë disa prej këtyre fenomeneve të cilat të bëjnë të mendosh se nuk është vetëm një incident. Madje për mua personalisht, më shumë se një incident ose një ngjarje që ka ardhur nga thjeshtë nga moszbatimi i rregullave është një gjë më shumë se sa kaq. Për pikëpamjen time sa e lartë është flaka e atij shpërthimi në Gërdec po aq e thellë ose aq të thella janë rrënjët e asaj katastrofe të Gërdecit të cilat duhen hetuar. Dhe këtu mund ta mbyll komentin tim sepse nuk disponoj gjithë të dhënat, është vetëm ajo çfarë unë shoh dhe komentoj. Komentet e një pjese të medias, komentet e një pjese të politikës unë i çmoj vërtetë shumë dashakeqe, ç`ka i bashkohen idesë se ajo ka qenë një gjë e përgatitur shumë mirë sigurisht ngase ka gjetur raporte jo normale, mungesë kontrolli, informacioni, investigimi të vazhdueshëm mbi këtë sipërmarrje private. Mund të bëjë një paralelizëm që është shumë i thjeshtë. Kur në Shtetet e Bashkuara te Amerikes u godit Pentagoni
dhe Kullat Binjake, opozita amerikane nuk doli të sulmonte Shtëpinë e Bardhë, presidentin Bush dhe mazhorancen drejtuese të vendit. Përkundrazi gjithë deklarimet
e tyre ishin për të mbështetur, për t’u bashkuar me ta, për t’u hetuar çështja dhe më pas për të nxjerrë përfundimet.

A mendoni se një pjesë e përgjegjësisë për këtë tragjedi i takon dhe opozitës?
Në pikëpamjen time, nuk është problemi për të transferuar përgjegjësitë tek opozita, por nuk mund të bëjnë të paditurin. Partia Socialiste ka ndërruar të paktën 6 Ministra të Mbrojtjes në 8 vitet e qeverisjes së saj dhe jo pak të komentuar për këto probleme. Jo jashtë dijeve për këtë çështje por duke i patur të gjitha këto njohje dhe këto dije kanë pasur të gjithë mundësinë që të mund të apelonin çdo javë në Parlamentin shqiptar ka nga dy seancë 1-orëshe, ku opozita ngre paraqet probleme, nuk kanë qenë ata të panjohur me problemin. Por heshtja unë mendoj është e lidhur me faktin se Trebicka del si një njeri i dërguar në zyrën e Mediut nga deputetë të opozitës. Deliorgji është njeriu që ka hyrë dhe ka dalë nga burgu, varësisht me atë sa para ka paguar për kupolat e pushtetit. Pinari është një njeri që është trashëguar në pushtet. Pavarësisht se është ndërruar pushteti ai ka vazhduar të qëndrojë. Pra nuk është se nuk i kanë pasur këto njohje dhe këto dije. Për fat të keq dhe ne kemi vazhduar ti trashëgojmë dhe është për tu pasur në vëmendje. Unë kam thënë në Kuvend që sa herë që kemi vazhduar të punojmë me njerëz që kanë punuar në të gjitha llojet e pushteteve pa ndërprerje, ne kemi paguar haraç, kemi paguar kosto njerëzore dhe kosto politike dhe nuk ma heq njeri nga mendja këtë pikëpamje. Edhe pse presioni jo vetëm i opozitës, por edhe i shumë strukturave të tjera ka qenë i tilla që të mos largonin njerëz nga puna, të vazhdonin të punonin me njerëz që kanë qenë në pushtetin ne tyre. Kur është folur për reforma në institucione dhe për largimin i është bërë pretencë pushtetit të sotëm pse po i largonin dhe ja rezultati.

Cili është komenti juaj mbi dorëheqjen e Fatmir Mediut dhe zëvendësimin e tij me ish zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa?
I bashkohem opinionit se Mediu bëri veprimin normal si qytetar, si politikan, ministër,
si pjesëtar i mazhorancës që me aktin e dorëheqjes ka hapur siparin e çdo lloj hetimi. Në përgjithësi aktet e dorëheqjes, janë për t’i treguar opinionit dhe institucioneve se jam i gatshëm të përballem me ç`do përgjegjësi që më takon por nuk jam në mënyrë të drejtpërdrejtë unë përgjegjësi. Duke qenë se je ministër dhe ke mbrojtje më shumë në imunitetin tënd, akti i dorëheqjes të bën të përballesh me çdo pretendim që mund të ketë kushdo. Kam vlerësuar dhe faktin që qëndroi ato ditë në detyrë, pasi situata duhej menaxhuar. Mendoj se dhe ky ka qenë një veprim i drejtë. Zëvendësimi ka qënë një akt normal i Kryeministrit, sepse nuk mund të mbeteshe pa drejtim Ministria e Mbrojties në këtë moment, duke qenë në prag të Samitit të Bukureshtit. Aq më tepër kur ne vazhdojmë të përballojmë gjithë këto pasoja të katastrofës dhe ushtria ka një rol vendimtar në përballimin e pasojave ka qenë i domosdoshëm zëvendësimi dhe unë mendoj që këto kanë qenë dy arsyet themelore që e kanë bërë kryeministrin që në kohën më të shpejtë të mundshme të vendosë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Gazmend Oketën pas dorëheqjes së Mediut.

A ju duket i drejtë reagimi i opozitës në lidhje me këtë ngjarje?
Opozita pati vetëm një ditë heshtje. Debati në Kuvend, protestat e qytetarëve të Tiranës të udhëhequra nga kryetari i PS-së por dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që këtë kryetar bashkie me gjithë institucionet e bashkive dhe minibashkive si kemi parë kurrë që të ofrojnë qoftë dhe një ndihmë dhe mbështetje për Bashkinë simotër të Vorës, për të përballuar pasojat, natyrisht që është një përpjekje për të përfituar politikisht. Duket dhe arrestimi i Deliorgjit që siç del nga komentet në media rezulton ka qënë një njeri tërësisht i lidhur me aktivitetet dhe aferat e Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut të Tiranës.

Ju si Ministër Bujqësie a keni bërë përllogaritje mbi dëmet bujqësore që janë shkaktuar në këtë zonë?
Dëmi më i madh është dëmi i humbjes së jetëve njerëzore. Ky është pengu më i madh për të gjithë dhe përkujdesja më e madhe që duhet të adresojmë. Në fund të fundit ata që kanë humbur jetën kanë humbur gjithçka, të afërmit e tyre, pjesë të rëndësishme të jetës së tyre. Ata që janë të lënduar duhet të kenë vëmendjen më të madhe, pastaj vjen dëmi ekonomik jo pak i vogël. Është një kosto që brenda dy ditëve do të dalë në mënyrë përfundimtare.  Bisedoi Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›