Ministria e Mbrojtjes: Autoritetet ushtarake nuk janë shmangur nga vendimmarrja për çmontimin e armëve autoritetet ushtarake
Autoritetet ushtarake nuk janë shmangur nga vendimmarrja për demontimin e armëve. Këtë ka shprehur dje Ministria e Mbrojtjes, duke përgenjështruar në mënyrë kategorike spekulimet e disa mediave të bëra publike gjatë këtyre ditëve, ku sipas të cilave ka qenë vetë dikasteri i Mbrojtjes që ka përjashtuar autoritet ushtarake për demontimin e municioneve të rrezikshme. Këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Enkelejda Malaj u shpreh dje se “Ministri i Mbrojtjes ka bashkëpunuar ngushtë me organet ligjore të investigimit dhe mbetet i gatshëm për të bashkëpunuar deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës”. Malaj u shpreh se Ministri i Mbrojtjes e ka bërë të qartë publikisht qëndrimin e tij politik dhe ligjor në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, nëpërmjet aktit të dorëheqjes nga funksioni i tij. Duke reaguar ndaj pretendimeve të disa mediave të shkruara, të cilat kanë bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes ka shmangur autoritetet ushtarake nga vendimmarrja për demontimin e fishekëve për kontratën e parë, e cila ka filluar në muajin qershor 2007 dhe ka përfunduar pa asnjë incident dhe problem në fund të tetorit 2007. Në këtë drejtim, Malaj sqaroi se menjëherë pas ngjarjes së Gërdecit, Ministri i Mbrojtjes mori të gjitha masat për vlerësimin dhe analizimin administrativ të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Sipas saj, në konsultim me autoritetet civile dhe ushtarake rezultoi se Kompania “Southern Ammunition” ka paraqitur dokumentacionin e saj të plotë ligjor për fillimin e një procesi demontimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka prezantuar përpara autoriteteve ushtarake dhe civile në mënyrë filmike teknologjinë që zotëronte për këtë proçes. Me marrjen e propozimit nga ana e kompanisë “Southern Ammunition”, Ministri i është adresuar, sipas procedurave, për mendim autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile, duke vënë shënimin për respektim të ligjit dhe negocimin e problemeve me kompaninë. Pas shqyrtimit, autoritetet ushtarake kanë përjashtuar me shkrim Bërzhitën dhe kanë propozuar që “qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve”. Ministri i Mbrojtjes, bazuar në këtë rekomandim, u ka lënë detyrë autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile të “veprojnë konform rregullave, interesit dhe planit të demontimit”. Në vijim të kësaj, Autoriteti Ushtarak i ka kërkuar drejtorisë përkatëse në Shtabin e Përgjithshëm të ndjekë problematikën në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Pas rekomandimit të autoritetit ushtarak që vendi të përcaktohet me negociata ndërmjet palëve, palët kanë informuar sektorët përgjegjës të Ministrisë se kanë rënë dakord për çmontimin e fishekëve në Gërdec. Pas kësaj, duke marrë pëlqimin paraprak të të gjitha autoriteteve civile dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, duke ndjekur ekspertizën ligjore të Drejtorisë Juridike, u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 138, date 14.03.07. Në përputhje të plotë me këtë Vendim është përgatitur urdhri nr. 550, dt. 25.04.07, ku janë përcaktuar detyrimet e autoriteteve ushtarake për zhvillimin e procesit në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie. Madje është cilësuar shprehimisht që kushtet e sigurisë të bëhen sipas rregullave të depove të municionit, ç’ka identifikon qartë detyrimet e këtyre autoriteteve për të zbatuar rregullat përkatëse. Në pikën 7 të këtij urdhëri, ngarkohen për zbatimin e tij Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave. Në dijeninë e Ministrit të Mbrojtjes nuk ka patur asnjë reklamim ndaj këtij urdhri, as për incidente e as për shkelje të rregullave të sigurisë. Duke vijuar më tej, këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes sqaroi se “pak kohë pas fillimit të këtij projekti, autoritetet më të larta ushtarake kanë kryer një vizitë në zonën e Gërdecit dhe kanë vlerësuar se demontimi i fishekëve po kryhej në kushte teknologjie dhe sigurie të lartë”. Sipas saj, kontrata e parë për demontimin e fishekëve ka përfunduar në fund të muajit tetor 2007. “Ajo që shkaktoi tragjedinë është një kontratë e dytë, për të cilën ekziston në Ministrinë e Mbrojtjes dokumentacioni i plotë, e që gjithashtu, me transparencën maksimale, i është vënë në dispozicion autoriteteve kompetente, në respektim të të gjitha procedurave ligjore dhe administrative”, tha më tej Malaj, duke sqaruar njëkohësisht se të gjitha dokumentet i janë vënë tashmë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme.