E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në institucionet e sigurisë, paralel me hetimin e prokurorisë

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se për të shmangur tragjedi të tjera të rënda, si ajo e Gërdecit, duhet që reforma të prekë në mënyrë tërësore institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat për ngjarjen në fjalë nuk siguruar as minimumin e parashikimit të rrezikut që kanosej. Kreu i qeverisë u shpreh se edhe drejtësia duhet të veprojë për të zbardhur përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit, kurse shteti duhet të procedojë me reforma të thella. Kryeministri Berisha ka ripërsëritur se për zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen e Gërdecit, qeveria mbetet e angazhuar në mënyrë thelbësore të përdorë të gjithë mekanizmat e saj. Pas urimit të përcjellë për gjithë besimtarët katolike me rastin e festës së Pashkëve, Berisha u shpreh se reforma që do të ushtrohet në institucionin e sigurisë kombëtare, nuk ka të bëjë me shkarkimin e kreut të SHISH apo të funksionarëve të tjerë. Reformat dhe shkarkimet janë dy çështje të ndryshme. Pa reforma, cilindo që të shkarkosh dhe të vendosësh, siguri nuk ke. Siguroj shqiptarët se për parandalimin e këtyre ka vetëm një rrugë të sigurt, reformimi. Duhet bërë një studim i të gjitha sistemeve. Prokuroria të nxjerrë përgjegjësitë institucionale, por përgjegjësitë janë më gjerë. Në rast se ne bëjmë një studim, një analizë serioze dhe ndërmarrim reformat e këtyre institucioneve i vendosim ato në pozicione të atilla që raste si ky të mos u shpëtojnë më. Vetëm reforma e SHISH e zgjidh këtë problem, reforma tërësore e institucioneve të sigurisë kombëtare. Ajo që ndodhi-ndodhi se përgjegjësitë dhe drejtësia duhet të veprojnë me forcën më të madhe të ligjit, porse vendi dhe shtetit duhet të proçedojnë me reforma më të plota që të mos ndodhë kjo”, deklaroi Berisha. Përse i takon elementëve të reformës së SHISH, Kreu i qeverisë Berisha deklaroi se nuk është vetëm reforma e Shërbimit Informativ Shtetëror që e zgjidh problemin në fjalë, por një reformë tërësore e institucioneve të sigurisë kombëtare, të cilat duhet të pësojnë reforma të tilla, p.sh dhe doganat janë institucion i sigurisë kombëtare. “Edhe vende të tjera që kanë pësuar probleme të tilla, i riorientuan ato, me këtë nuk po them se ishte përgjegjësi e doganave ajo që ndodhi. Pra, reforma është një koncept më i gjerë. Mediat janë marrë me kronikën dhe kanë bërë mirë, por nuk janë marrë me reformat dhe pa reforma kjo nuk zgjidhet. Institucionet e sigurisë kombëtare kanë nevojë për reformim të thellë dhe ju siguroj se këto reforma do të ndërmerren dhe ekziston një vullnet i përbashkët i këtyre institucioneve për të bërë reformat. Unë gjykoj se drejtësia duhet të veprojë me forcën më të madhe të ligjit, kurse vendi e shteti duhet të proçedojë me reformat më të plota, që këto ngjarje të mos ndodhin më”, thesoi kryeministri. Lidhur me insistimin e opozitës për lënien e imunitetit të vetë Kryeministrit dhe ish-ministrit Fatmir Mediu, kreu i qeverisë u shpreh se imunitetin e kërkon institucion tjetër dhe jo opozita. “Unë gjykoj se opozita është opozitë. Në një vend imunitetin e kërkon institucion tjetër. Në qoftë se opozita merr përsipër të bëjë të gjitha rolet e institucioneve, ne, si mazhorancë, kemi një zotim dhe e kemi faktuar këtë, që i përgjigjemi çdo kërkese të institucioneve të vendit. Ky është zotimi ynë, të tjerat janë politikë dhe çdo opozitë ka të drejtë të mbajë qëndrimet e saj. Opozita është në të drejtat e saj”, vuri në dukje Berisha. Përsa i takon 4 personave të zhdukur që kërkohen ende nga familjarët e tyre, pas shpërthimit në Gërdec, Berisha theksoi se në verifikim e sipër janë dy viktima, që përfshihen në këtë numër, por nuk disponohet informacio për të tjerë. “Priten analizat e ADN-së. Me këto analiza është arritur të identifikohen të gjitha rastet dhe do të identifikohen edhe këto dy viktima. Ndërsa dua t’ju them se vlerësimi në terma financiarë i dëmit material përfundon sot në darkë ose nesër paradite, me shpejtësi rekord dhe qeveria ka përgatitur të gjitha dekretet e vendimet për të filluar po me këtë shpejtësi disbursimin e shumave në përputhje me dëmin.

 Alket Goce

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›