Gjarpinjtë e Demaçit
_494739.jpg)
“Jo – atyre që janë trima të ngrënë gishtin e krimit, por – atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit”, kështu, para 55 vjetësh, e ka filluar romanin e tij ‘Gjarpinjtë e gjakut’ shkrimtari dhe aktivisti Adem Demaçi. Ky libër i Demaçit i mblodhi të hënën, në hotel Victory, shumë shkrimtarë, politikanë dhe adhurues të njeriut që për disa dekada konsiderohet simbol i rezistencës kombëtare.
Në promovimin e ribotimit të tetë të romanit ‘Gjarpinjtë e gjakut’ u tha se ky ribotim vjen në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në 55 vjetorin e shkrimit të romanit. Për romanin në fjalë më shumë folën politikanë sesa studiues.
I pari prej referuesve foli Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai tha se kur u botua ky roman, në vitin 1958, së bashku me emrin e autorit, hyri në botën e tij të fëmijërisë ende pa i mësuar mirë shkronjat.
“Nuk vonoi shumë dhe e mora vesh faktin se derisa autori ishte në burg, romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ tashmë kishte hyrë në indeksin e materialit subversiv”, shtoi Krasniqi.
Pasi theksoi se romani i Demaçit u botua në vitin kur Albert Camus fitoi çmimin Nobel për letërsi, Krasniqi e krahasoi romanin ‘Gjarpinjtë e gjakut’ me romanet e shkrimtarëve francez Andre Gide, Albert Camus dhe Jean Paul Sartre.
Për romanin, i cili për temë ka gjakmarrjen, foli edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi. Ai e cilësoi Demaçin simbol të rezistencës që e ka ruajtur kombin shqiptar mbi pesë dekada. Kuçi shtoi se emri i Demaçit si shkrimtar është unikat në Europë.
“Besoj që emri i Adem Demaçit si shkrimtar dallon prej shumë shkrimtarëve tjerë në botë dhe do të them që është unikat në gjithë Europën. Përmes veprës së tij nuk e ka tejkaluar kurrë vetën, po përmes emrit të tij personal dhe origjinalitetin e tij, ka kaluar çdo vepër që lidhë me interesat kombëtare të cilitdo popull në botë. Në këtë drejtim, emri i Bacës Adem, mbi gjysmë shekulli mbetet unifikim për qytetarin e Republikës së Kosovës, për popullin shqiptar, por mbi të gjitha simbol i rezistencave sa here që i është kërkuar ajo”, tha Kuçi.
Zëvendëskryeministrit Kuçi më tutje shtoi se Adem Demaçi, me anë të veprës ‘Gjarpinjtë e gjakut’, ka tentuar të mbyllë një plagë të shoqërisë sonë, gjakmarrjen, ku ka qenë frymëzim edhe në kohen e pajtimeve të gjaqeve.
Kuçi tha se të gjithë njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, me punën e tij dhe me veprën e tij, andaj, sipas tij, neve na duhet shumë ky simbol i rezistencës, na duhet ky simbol i unifikimit dhe duhet ta ruajmë, sikur ai që e ka ruajtur kombin shqiptar mbi pesë dekada.
Kuçi dha idenë që libri i Demaçit të bëhet në formë të dramës apo të filmit, për realizimin e të cilit tha se Qeveria e Kosovës do të jepte gjithë maksimumin e saj.
I vetmi studiues i letërsisë që foli për romanin e Demaçit qe akademik Rexhep Qosja, i cili tha se gjakmarrja vazhdon të jetë temë e trajtuar ende nga të gjithë. Por, sipas tij, Demaçi është origjinal, përveç në gjithçka tjetër edhe në trajtimin e gjakmarrjes.
“Para së gjithash romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ është botuar aq shumë sepse është shkruar nga Adem Demaçi, i shkrimtarit që ishte i përndjekur politik, i shkrimtarit që ishte gjykuar me shumë vite burgim, jo një herë por tri herë, i shkrimtarit që u dënua tri herë, sepse kishte kërkuar dhe në emër të kësaj kërkese kishte krijuar organizatë për çlirimin e popullit të vet prej Jugosllavisë, se kishte kërkuar bashkimin me shtetin amë Shqipërinë dhe se kështu i pari kishte kërkuar të drejtën e popullit shqiptar në Kosovë për vetëvendosje kombëtare dhe shtetërore”, tha Qosja.
Botimi i tetë i librit ‘Gjarpinjtë e gjakut’ është bërë nga shtëpia botuese ‘Buzuku’ dhe nga Këshilli i Rinisë Europiane të Kosovës. Në emër të këtij këshilli foli kryetari Avdullah Hasani, i cili tha se romani në tërësinë e vet ka mesazhin e qartë, simbolikën dhe metaforat e denja për një kryevepër përmasash botërore.
Ndërkaq, në fjalën e tij, autori i librit Adem Demaçi theksoi se romani kishte si qëllim përcjelljen e mesazhit që të lihen anash vëllavrasjet dhe se pushkët t’i drejtoheshin armikut.
Ai tha se duhet t’i falënderohet së pari nënës së tij, e pastaj edhe mësuesve që e kanë edukuar në frymën kombëtare. Demaçi tha se një rol në suksesin e librit ka edhe Serbia, e cila e burgosi dhe në këtë mënyrë e rriti interesimin e lexuesve për ta lexuar romanin e tij.