E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtë subjekte serbe aplikojnë për zgjedhje

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, ka deklaruar për Radion “Evropa e Lirë” se subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, mund të aplikojnë deri në 60 ditë para ditës së votimit.

Ai pohon se këto parti janë të regjistruara, kurse certifikimi i tyre, sipas tij, do të bëhet më vonë. “Ato kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e fushatës dhe e procesit zgjedhor, pra me vetë aplikimin do të thotë se edhe do të certifikohen”,- tha Ajvazi.

Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, interesimin e subjekteve politike serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale e konsiderojnë si një gjë të rëndësishme. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerëson se kjo është një dëshmi e mirë e integrimit të këtij komuniteti në jetën politike të vendit.

“Për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Kosovës, kjo është edhe një dëshmi e vazhdës së integrimit serb në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pra në shoqërinë kosovare dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal”,- tha Manaj, duke shtuar se ky veprim i partive politike serbe tregon gatishmërinë për t’u integruar dhe në jetën institucionale të Kosovës.
start/atsh

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›