E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjashtë agjentë të Shërbimit Sekret në Gërdec, kur shkarkoheshin kamionët”

 TIRANE – Dëshmitari Julian Pango hodhi dyshime dje se një grup personash, që qëndronin në fabrikën e Gërdecit, ishin punonjës të Shërbimit Sekret. Sipas dëshmitarit, këta persona mbikëqyrnin shkarkimin e municioneve ushtarake në fabrikë dhe se pa praninë e tyre nuk fillonte shkarkimi. Ndërkohë që pyetjes së njërit prej mbrojtësve, nëse arrinte të bënte dallimin mes agjentëve të Shërbimit Informativ dhe Policisë Ushtarake, dëshmitari iu përgjigj negativisht. Pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, më 15 mars të vitit 2008 nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe ai Ushtarak u mohua të ishin në dijeni të fabrikës. “Në projektin e dytë më ishte thënë që do të isha ndihmës i përgjegjësit të fabrikës, Vangjelit (Veiz Muçës). Unë merresha me mbikëqyrjen e shkarkimit të municioneve luftarake që vinin me makinat e ushtrisë. Municionet vinin nga reparte ushtarake të ndryshme të vendit. Gjatë shkarkimit të municioneve, aty qëndronin edhe gjashtë persona. Ishin Seran Meçi, Haxhiu, Nezmiu, Benardi, Klejdi dhe Xhimi. Mendoj se ishin të Shërbimit Informativ. Nëse ata nuk ishin aty, nuk fillonte shkarkimi”, tha dje dëshmitari. Për përvojën e tij të punës në fabrikë, dëshmitari tregoi se kishte punuar aty në të dyja projektet. “Për herë të parë municionet i njoha në Gërdec. Nuk kisha kontratë punësimi. Në projektin e parë isha përgjegjës turni”, u shpreh Pango. Sipas dëshmitarit, transporti i barutit në fabrikë bëhej me karroca dore. “Kishte raste që karrocat prisheshin. Një pjesë e karrocave që dëmtoheshin nxirreshin jashtë përdorimit, ndërsa një pjesë riparoheshin”, u shpreh ai. Julian Pango dëshmoi dje se në fabrikë kishte një rregullore të sigurimit teknik. “Ka pasur një rregullore të sigurimit teknik, që firmosej çdo fillim muaji. Ka qenë në formën e një formulari në formatin A4, por përmbajtjen nuk arrij ta kujtoj”, deklaroi Pango. Dëshmitari rrëfeu dje dijeninë e tij rreth disa predhave të dala nga fabrika dhe të nisura drejt Gramshit. “Di që kanë dalë nga fabrika predha 100 milimetërshe për në fabrikën e demontimit në Gramsh. është kthyer e njëjta sasi. Nuk jam interesuar se çka ndodhur me to në Gramsh”, tha dëshmitari.                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›