Henri në Gërdec, para shpërthimit
Armand BajramiDritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së “Gërdecit” tha dje se Patrik Henri, administratori amerikan i “SAC-Albademil” kishte nënshkruar një kontratë për vijimin e punimeve në Gërdec, vetëm një ditë para shpërthimit të 15 marsit 2008. Deklarata u paraqit në gjykatë nga Minxolli, në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të vënë nën akuzë, si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit. Nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, Minxolli konfirmoi për Gjykatën e Tiranës se Patrik Henri kishte qenë në ambientet e fabrikës një javë para shpërthimit, shpërthim që shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur. Sipas të pandehurit Minxolli, amerikani Henri kishte inspektuar kontenierët e barutit në fabrikë dhe se po përgatitej për eksportin e tyre. Referuar këtij inspektimi, i pandehuri tha dje se administratori amerikan i “SAC-Albademil” ishte në dijeni të gjendjes në fabrikën e demontimit. Gjithashtu, një ditë para shpërthimit, Minxolli ishte takuar me Mihal Delijorgjin dhe me amerikanin Patrik Henri. Sipas tij, në këtë takim ishte diskutuar bilanci i shpenzimeve që ishin kryer në dy projektet e fabrikës. Në një komunikim të bërë nga Zvicra, një ditë pas shpërthimit të Gërdecit, Patrik Henri pati mohuar të kishte qenë në Shqipëri. Ndërkohë një fakt i tillë u pranua prej tij më pas në deklarimet e tij me letërporosi për prokurorinë.MINXOLLI“Sasia e barutit dalë nga demontimi i municioneve është sistemuar fillimisht në depot ekzistuese. Më pas kjo sasi është dërguar te kontenierët. është pala amerikanë ajo që ka siguruar në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes lejen për transportin e barutit të siguruar nga demontimi i municionit, si në procesin e parë dhe në atë të dytë. E gjithë sasia e barutit që më 15 mars 2008 mund të ketë shkaktuar pasoja të jashtëzakonshme, fakt për të cilin kur unë kam drejtuar fabrikën nuk më është vënë në alarm nga specialistët apo Patrik Henri. Rreth datës 7 apo 8 mars të vitit 2008, Patrik Henry ka ardhur nëpërmjet Rinasit dhe ka bërë inspektimin dhe kontrollin e parë në Gërdec. Atë ditë unë kam qenë në punë në fabrikë. Patrik Henri në shoqërinë e specialistit amerikan Rod Tailor, mbikëqyrës i palës amerikane, kanë bërë një inspektim të hollësishëm në fabrikë. Pas këtij inspektimi, ai nuk më dha asnjë urdhër me shkrim për ndonjë ndryshim të trajektores në procesin e punës në fazën e parë të procesit të dytë, që ishte drejt përfundimit. Po atë ditë, në fushën ku ndodheshin depot, ku ishte futur baruti ishin pozicionuar edhe kontenierët për rezervimin e barutit.Unë dhe Patrik Henri kryem një inspektim për sasinë e barutit dalë nga demontimet, për aq punë sa ishte bërë. Më pas u kthyem në zyrën e Henrit, që ndodhej brenda ambienteve të fabrikës së demontimit. Në shkurt, pala amerikane bëri një eksport nga Gërdeci, ndërsa Henri pretendonte se në fund të muajit mars të bënte heqjen e sasisë së barutit të sistemuar. Jam vënë në dijeni se eksporti do të bëhej nëpërmjet Portit të Durrësit. Do të vinte një anije nga Izraeli për këtë punë. Më 14 mars unë, Patrik Henri dhe Mihal Delijorgji jemi takuar te zyra e Delijorgjit në Tiranë, ku Patrik Henri mori informacion financiar të shpenzimeve që “Albademil” kishte në mbyllje të fazës së parë të procesit të dytë. Henri atë ditë u shpreh me superlativa se si ky proces pune po ecte. Shija që më la ky takim ishte se procesi do të përfundonte me sukses. Kjo pasi kishte konsensus të plotë midis dy administratorëve, domethënë, asistenca teknike nga Patrik Henri dhe financiare nga Mihal Delijorgji. Në atë takim janë firmosur edhe kontrata”, deklaroi para gjykatës Dritan Minxolli.Karroca e salduarDëshmitari Haxhi Hoxha, i thirrur nga prokuroria në proces, tha para gjykatës se fabrika e Gërdecit kishte shpërthyer nga zjarri i shkaktuar nga saldimi i një karroce. Gjatë seancës, dëshmitari tha se kishte parë lindjen e flakës në pjesën e poshtme të një karroce. “Ditën e ngjarjes pashë Qemal Deliun të merrte një karrocë të prishur dhe të largohej drejt shtëpisë së tij. Nuk e kam parë nëse erdhi më apo jo”, tha dëshmitari Hoxha. Dëshmitari dje nuk kujtonte nëse kishte qenë Qemal Deliu ai që kishte sjellë karrocën, apo ndonjë person tjetër. “Flakën e dha karroca. Unë pashë që flaka u ndez në moment. Isha rreth 20 metra larg saj”, tha dëshmitari. Ndonëse dëshmitari kishte vrapuar për t’ju larguar shpërthimit, ai ishte kapur nga vala e zjarrit që i kishte shkaktuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.