Tenderi i uniformave, pendohen dy tregtarët
TIRANE – Dy nga tre biznesmenët e arrestuar nga policia dhe prokuroria për akuzën e korrupsionit me tenderin e uniformave organizuar nga Ministria e Brendshme, kanë dhënë deklarime të rëndësishme për hetimin, duke zbardhur detaje nga afera korruptive. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, dy prej tregtarëve që kishin aplikuar për të marrë pjesë në tenderin e shpallur nga Drejtoria e Prokurimeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme, e drejtuar nga Bujar Murati, tashmë i arrestuar, kanë dhënë shpjegime në lidhje me shkeljet dhe parregullsitë e përzgjedhjes së kandidaturave përmes kërkimit të ryshfetit. Dëshmitë e dy biznesmenëve të dhëna për hetuesit konsiderohen mes provave kryesore në dosje. Gjashtë persona u arrestuan për korrupsionin me tenderin e uniformave, Bujar Murati, Drejtor në Ministrinë e Brendshme, Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Imami, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, ishin zyrtarët e arrestuar. Ndërkohë gjatë aksionit u kapën edhe tre biznesmenët, Artan Berberi, pronar i Kompanisë MALBERTEX, Jani Gjergjefi, pronar i Kompanisë GJERGJEFI dhe Agur Sadiku, “në arrest shtëpie”, pronar i Kompanisë SADIKU. Të dyshuarit u akuzuan për një ryshfet 125 mijë euro, me qëllim fitimin e tenderit me vlerë 175 milionë lekë të reja. Dy prej biznesmenëve kanë shpjeguar tratativat që janë bërë me zyrtarët e ministrive dhe gardës për të fituar tenderin kundrejt pagesës së ryshfetit. Sipas dëshmive të biznesmenëve, paratë ishin kërkuar nëpërmjet personave të tretë nga drejtori i prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Bujar Murati. Ndërkohë, tre zyrtarët e arrestuar për skandalin i kanë mohuar akuzat ndaj tyre. tr.so