E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur djemtë trukohen si vajzat

 blerand rexhepiQë të dy të njohur dhe të dashur nga adoleshentët shqiptarë, por kohëve të fundit nuk kanë të njëjtin sukses me të cilin filluan karrierat respektive. Bertani dhe Berkani dëshirojnë të ndryshojnë nga të tjerët. Listës së gjatë të meshkujve botërorë që “trukohen”, i janë bashkuar edhe këngëtarët nga Maqedonia, Berkani dhe Bertani. Në shumë klipe dhe fotografi, Berkani është shfaqur me një stil krejt ndryshe nga këngëtaret e tjerë të estradës sonë. Veshjet e tij që disenjohen nga stilisti Armend Ramadani, shpesh herë edhe janë kritikuar për ekzagjerim të stilit mashkullor. Por kritikat nuk kanë pasur të bëjnë vetëm me veshjet, pasi Berkani në paraqitjet e tij është kritikuar edhe për grimosjen e buzëve, fryrjen e tyre dhe grimin në sy. Megjithatë, për Berkanin kjo paraqet mashkullin “trendy” të kohës, që pëlqehet nga gjinia femërore dhe publiku. Në anën tjetër edhe këngëtari Bertan Asllani po praktikon të njëjtin stil. Ai nëpër shumë evenimente dhe klipe është paraqitur me grim në fytyrë duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve pasi tek ne grimohen vetëm femrat e jo meshkujt. Sa u përket angazhimeve, të dy këngëtarët janë duke përjetuar një sukses, por jo aq sa kishin në fillim. Ndoshta tash në këtë kohë është në pikëpyetje konkurenca. Berkan Ahmeti pret që të nisë angazhimin në sferën e aktrimit. Këtë e ka bërë të ditur vetë këngëtari, duke shtuar se nuk do t’i largohet në asnjë mënyrë këngës. Madje, sa i përket fushës me të cilën u bë i njohur, ai ka thënë se ka në plan që gjatë vitit 2010 të bëjë një sërë këngësh me videoklipe dhe gjithashtu një baladë. Në fund ai mendon se këto këngë do t’i përmbledhë në një album. Ndërkohë, Bertan Asllani po bën bujë në fushën e këngës. është një emër që shumë shpejt u bë i njohur. Shkupjani thotë se e do këngën me shpirt, prandaj çdo interpretim shton se e bën me gjithë zemër. “E dua këngën, jetoj me të, kështu që edhe në të ardhmen shpresoj të jem me të”, shprehet ai. Kënga e fundit “Zemër”, të cilën Bertani e ka lançuar në treg, ka arritur majat e suksesit. Bertani ndihet mjaft i kënaqur që kjo këngë është pranuar në publik. “Kënga ‘Zemër’, fatmirësisht, po pëlqehet shumë në publik. Ndihem shumë i lumtur që kam realizuar këtë këngë, pikërisht për shijen e adhuruesve të mi”, - shton ai. Bertani është në përgatitje të projekteve të reja, për të cilat nuk preferon të flasë tani. “çdo gjë mbetet surprizë deri në lançimin e këngëve”, - shton ai. Bertani në këngë bashkëpunon me kompozitorë të ndryshëm. Thotë se i pëlqen të punojë me shumë dhe me më të mirët. “Gjithnjë dëshiroj që bashkëpunëtorët t’i kem profesionistë, për shkak se ata dinë të krijojnë më lehtë këngë, thjesht e dinë procedurën e përgatitjes së një kënge. Në albumet e mia kam punuar me Robert Rubillovin, Faton Dolakun, Avni çailin, Darko Dimitrovin, Ardian Kastratin, Bujar Idrizin, Samirin. Unë punoj edhe me kompozitorë maqedonas dhe kjo nuk më pengon. Këtë e bëjnë edhe  këngëtarë të tjerë. Mendoj se njeriut, çfarëdo kombi që të jetë, duhet t’i shikohet vetëm puna, kështu që me këta që punoj jam me të vërtetë i kënaqur”, - shprehet ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›