Gjashtë deputetë të LDK-së dalin kundër marrëveshjes për presidentin

PRISHTINË, 1 shtator /ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se gjashtë deputetë të partisë së tij kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për postin e presidentit.
Ai këtë deklaratë e bëri pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.
“Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar”, tha Abdixhiku në një konferencë për media, duke shtuar se me këtë po i bëjnë dëm “të pariparueshëm procesin” dhe po e dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.
Abdixhiku tha se ka vetëm 12 deputetë në dispozicion dhe me ta do të shkojë në sallë kur të votohet për president, duke shtuar se deri në fund do të bëhen përpjekje për numrat për presidentin.
“Unë me 12 deputetë, vetë i 12-të do të jem në sallë kur të votohet. Deri në momentet e fundit do të bëjmë përpjekje”, tha ai.
Abdixhiku tha se i kërkon falje popullit të Kosovës, që me “me gjithë vullnetin e mirë nuk po arrijmë të japim stabilitet për shkak të një politike të përçudnuar”.
“Kam munda, nuk mundem më tepër me këtë përçarje, me këtë Grup Parlamentar”, tha ai, duke shtuar se nuk e kupton zellin që të shkohet në zgjedhje.
Ai i akuzoi gjashtë deputetët që dolën kundër nominimit të Sejdiut se kanë vepruar për interesa personale.
Mbledhja e Grupit Parlamentar erdhi pasi LDK-ja mblodhi kryesinë partiake ku miratoi marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe ku iu bë thirrje deputetëve të saj që ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.
Sipas një deklarate të lëshuar nga LDK-ja pas mbledhjes së kryesisë të mbajtur sot, nominimi i Sejdiut është mbështetur “me unianimitet të plotë”.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në deklaratë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së. /REL/