Gjashtë inspektorë anti-duhan mbahen peng në lokal pasi vunë një gjobë
Nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, njëkohësisht dhe shefja e Task- Forcës për ligjin anti duhan, Shpëtime Kalemi, ka denoncuar dhunën verbale dhe psikologjike që pronarët e bingove dhe parukerive kanë ushtruar ndaj inspektorëve anti- duhan.
Inspektorët janë shprehur për gazetën Shqipse gjatë këtyre tre ditëve ato po përballen me probleme dhe kërcënime nga pronarë të lokaleve të ndryshme. Ato i kërcënojnë inspektorët me hakmarrje, madje dy ditë më parë ato janë mbajtur peng nga pronari i një bingoje në qytetin e Fierit, i cili iu ka mbyllur derën për rreth gjysmë ore, pasi gjashtë inspektorët i kishin vënë gjobën prej 50 mijë lekësh të reja.
Për të gjitha këto problematika shefja e Task-Forcës, Kalemi, ka kërkuar mbështetjen e Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit, por përgjigja që kanë marrë ka qenë negative.