E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë profile piktorësh në ekspozitën e fundvitit

Hamza, Oseku, Leka, Myrtezaj, Përmeti dhe Isufi, së bashku në Gjashtë në një

Një vogëlushe me sy të gjelbër të trishtë, që mban pak kokën mënjanë si e turpëruar, të fton të hysh në galerinë Harmoni të shohësh ekspozitën Gjashtë në një, që 6 artistë kanë hapur në katin e dytë të qendrës Hekla. Kujdes se mos bëni gabim edhe e puthni apo përkëdhelni, edhe pse ajo është çamarroke e të bën për vete… Prindërit ia kanë qëndisur në grykësen që mban në qafë: Mos më puth!. Në fakt, kjo është dëshira e prindërve, ajo vetë ndoshta nuk do kishte ndonjë gjë kundër. Kjo e bën atë paksa më ndryshe nga fëmijët e tjerë, parulla e shkruar mbi gjoks krijon distancë e këtë e dëshmojnë edhe sytë e saj. Këta janë fëmijët modernë, ose më saktë fëmijët e prindërve modernë që jo rrallë kujdesen për fëmijët deri në mani, duke u injektuar atyre doza palumturie. Piktori Ardian Isufi ishte çuditur kur ishte ndeshur me këtë fenomen teksa çonte e merrte vajzën e tij nga kopshti dhe vendosi të realizojë një tablo gjigante. Pikturoi vajzën e vet, por me grykësen e dikujt tjetër. Në ekspozitën Gjashtë në një, Isufi paraqitet me disa punë që marrin shkas nga fëmijëria. Është fëmijëria e fëmijëve të sotshëm, që duket sikur nuk e kanë një të tillë, që lëvizin në hapësirat dhe mundësitë e krijuara prej të tjerëve e ndonjëherë duket sikur janë të burgosur. Me karakter personal janë edhe punët e piktorit Vladimir Myrtezaj, ku në dy tablo të tij, përmes imazheve gati naive dhe materialeve mikse, luan me kujtimet, me fëmijërinë, me portretin e tij parë nga një sy fëmije. Punët duket si një palimsest, që pas çdo njërës shtresë fshihet një tjetër. Najada Hamza i qëndron besnike ateliesë së tekstilit, të cilën ajo drejton. Për së largu seria e tablove me të cilat ajo paraqitet duken si portrete, por në fakt personazhet e saj janë shapka femrash, të trajtuara si personazhe. Jo vetëm sepse drejton një atelie tekstili, por edhe si femër ajo e di se sa rëndësi i japin këto të fundit këpucëve. Por ndonjëherë kjo kthehet edhe në mani, duke mbushur hapësira e vitrina me këpucë lloj-lloj ngjyrash. Dhe në të njëjtën faqe muri të galerisë me personazhet-këpucë, shtrihen hapësirat e pafundme të Ali Osekut. Prej kohësh piktori qëndron i palëkundur mes peizazheve të tij, qiell, det, tokë, re, që herë-herë vijnë të trëndafilta, herë ngjyrë okër, herë bojë qielli, herë ndërthurje nuancash. E tillë është edhe tabloja që ka sjellë në këtë ekspozitë, por në tokë-qiellin e tij kësaj here ka edhe një element të shtuar, i cili nuk është mirë i identifikueshëm, por e lë shikuesin të përqendrohet e të imagjinojë herë një televizor, që duket sikur do të na prishë qetësinë me çdo kusht, por mund të jetë edhe thjesht një poltron që shërben për tu ulur e për të shijuar qetësinë. Dhe nga shkrirja me të pafundmen, kthehesh tek vetvetja duke u përballur me tablonë me ngjyra të errëta e mistike të piktorit Gazmend Leka. Tabloja e paraqitur është shkëputur nga cikli i tij Kutia e zezë, që të nxit të shohësh brenda vetes e të zbulosh gjithë përbindëshat që fshihen aty, herë sfinksa e herë cerberë… E aty pranë të presin rrugët gjarpëroshe të Genc Përmetit. Në të vërtetë tabloja nuk është gjë tjetër veçse një copëz gjetheje gjigante, e cila nga një farë distance të duket si një reliev malor i parë prej lartësive. Kapilarët e gjethes duken si rrugë të thepisura, që të ftojnë ti sfidosh. Edhe në ekspozitën që i parapriu kësaj të fundit, titulluar Odisea ime, Përmeti paraqitej me një terren të tillë, por me hapësira më të mëdha. E pasi ke udhëtuar pas në kohë te fëmijëria, e ke krahasuar me atë të fëmijëve të sotshëm, ke reflektuar e ke parë brenda vetes, në të dalë të ekspozitës përshëndetjen e fundit ta jep një tjetër tablo me përmasa të mëdha e Genc Përmetit, ku paraqitet një femër me një tors të lakuriqtë e që në fytyrë mban një gjysmëmaskë. Është një situatë e njohur. Shpeshherë është vështirë që tek shumë njerëz që njohim të dallosh se cila është maska dhe cila është fytyra e vërtetë.

Çdo ditë një takim
Ndryshe nga ekspozitat e tjera që këta gjashtë artistësh kanë hapur së bashku, kjo e fundit nuk ka një koncept të mirëfilltë kuratorial, apo një temë-fije lidhëse e punëve të paraqitura. Duke e konsideruar si një ekspozitë fundviti, secili prej artistëve ka paraqitur disa punë që përfaqësojnë më së miri krijimtarinë e tyre. Ajo që e bën të veçantë ekspozitën e kësaj radhe është marrëdhënia me publikun. Çdo ditë në ekspozitë do të jetë njëri nga piktorët, i cili do të flasë me publikun për punën e tij, për laboratorin krijues, pse jo dhe për jetën artistike. Kështu që Gjashtë në një nuk është thjesht një ekspozitë, por edhe një pikë takimi me artistët.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›