Gjatë vizitës në Burrel, Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Burrelit, Zëvendëskryeministri, ndër t
Gjatë vizitës në Burrel, Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Burrelit, Zëvendëskryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Në radhë të parë dua t'ju sjell përshëndetjet e Kryeministrit Sali Berisha, si dhe t'ju përcjell keqardhjen e tij të thellë që nuk mundi të merrte pjesë në aktivitetet tuaja, edhe pse dëshira e tij për të qenë, sot, bashkë me ju, ishte e jashtëzakonshme. Unë besoj se ju të gjithë e mirëkuptoni Kryeministrin tonë kur atij i ndodh ndonjëherë që nuk mund të ndjekë pjesë të axhendës së tij. Ngjarje të tjera të rëndësishme dhe veprimtari të tjera të mëdha për ju dhe për shqiptarët, me siguri, do t'i japin shumë shpejt Kryeministrit mundësi të vijë në qytetin tuaj, të bisedojë dhe gëzojë bashkë me ju.
Të dashur qytetarë të Matit e Burrelit,
Sigurisht që në këtë një vit e pak qeverisjeje, strukturat e qeverisë, përfaqësuesit e saj në të gjitha nivelet kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me ju, me problemet e hallet tuaja, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me ju edhe në konsultat që ne kemi zhvilluar, herë pas here, që nga fushata elektorale e deri më sot për të përpunuar programet, platformat dhe veprimtaritë tona në shërbim dhe dobi të qytetarëve.
Në një vit e disa muaj qeverisjeje, jo gjithmonë ka qenë e lehtë për ne t'u provonim shqiptarëve qëllimet tona, t'u provonim atyre drejtësinë e ideve tona, t'u provonim saktësinë e platformave tona. Ka shumë njerëz që na kanë parë me dyshim, sepse në një periudhë të shkurtër nuk mund t'ju sjellësh shqiptarëve rezultate konkrete. Por pas një viti qeverisjeje, kjo nuk ndodh më. Pas një vit qeverisjeje, ne kemi mundësi të tregojmë rezultatet e punës së qeverisë dhe efektivitetin e platformës sonë qeverisëse. Që të gjitha janë të kapshme, të prekshme dhe të provueshme nga ne dhe nga ju.
Sot, ne patëm një aktivitet inagurimi të një projekti të rëndësishëm për qytetin tuaj, me një vlerë të konsiderueshme. Ju që jetoni këtu, por edhe dhe ne, që erdhëm sot në këtë qytet, kemi parë e provuar investimet që po bëhen gjatë gjithë aksit rrugor, por edhe investimet që po bëhen përtej këtij aksi. Rezultati i punës sonë është i prekshëm për të gjithë ju.
Sot, ne vijmë para jush e kemi mundësinë t'ju sjellim edhe diçka më konkrete, t'ju sjellim aprovimin e komunitetit ndërkombëtar për drejtësinë dhe saktësinë e platformave tona qeverisëse, për rezultatet dhe efektivitetin e punës sonë.
Sot, ne kemi një rast më shumë për të qenë të gëzuar, sepse, për herë të parë gjatë gjithë procesit të integrimit, për përpjekjet tona për integrim në Bashkimin Evropian kemi një vlerësim konkret, optimist nga komuniteti evropian. Sot, komuniteti evropian i ka thënë qeverisë shqiptare, por edhe të gjithë shqiptarëve ju lumtë puna dhe mundi që keni bërë, i ka thënë qeverisë dhe shqiptarëve se ne sot, vërtet, besojmë tek përpjekjet tuaja.
Deri më sot, edhe komuniteti ndërkombëtar e ka parë me dyshim Shqipërinë, ka parë me dyshim qeveritë e saj. Ne kemi kaluar një vit e disa muaj në qeverisje. Në ditët e para të punës sonë që të gjithë anëtarët e kabinetit kanë patur takime të rëndësishme intensive me përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së. Një gjë na e kanë thënë në mënyrë të përsëritur se me qeveritë shqiptare kemi mësuar një gjë, qeveritë shqiptare dinë të thonë fjalë, dinë të bëjnë premtime, por nuk dinë të bëjnë punë. Qeveritë shqiptare nuk meritojnë vëmendjen tonë, sepse nuk dinë të bëjnë punë. Për herë të parë, komuniteti evropian u thotë shqiptarëve, por edhe vendeve anëtare të BE-së, se kjo qeveri di të bëjë punë.
Por si arritëm ne deri këtu? Arritëm me punë, përkushtim dhe besim tek ju, por edhe tek forca jonë, aftësia, përpjekjet dhe ndershmëria jonë, sepse vetëm kështu mund të luftohet korrupsioni, sepse vetëm kështu mund të rivendoset në vend shteti ligjor, mund të përparojë ekonomia dhe mund të ndihmohet qytetari. Nëse punon me këtë përkushtim dhe këtë besim, rezultatet nuk mund të pengohen dhe nuk mund të vonojnë.
Në një kohë shumë të shkurtër, ne treguam se qeveria e ka mundësinë t'i këpusë lidhjet e krimit me politikën, kemi mundësinë t'i tregojmë krimit vendin që i takon. Ne e bëmë këtë jo thjesht dhe vetëm duke arrestuar disa kriminele të njohur, nuk e bëmë thjesht e vetëm duke çmontuar bandat më të rrezikshme të rajonit, por e bëmë duke u thënë, në radhë të parë, shqiptarëve se krimi e ka vendin në burg dhe jo në qeveri.
Sot, ata që kanë ndjekur median e shkruar kanë vërë re një fakt të çuditshëm. Kohë më parë, Kryeministri i vendit, në denoncimin e tij pulik të lidhjeve të krimit, korrupsionit dhe të kapjes së shtetit me Prokurorinë e Përgjithshme, ka treguar për një aferë të madhe korruptive që përfshin dy ish ministra, ish ministrin e Brendshëm Igli Toska dhe ish ministrin e Ekonomisë Anastas Angjeli. Ai u ka thënë shqiptarëve se përse vallë nuk përfundojnë hetimet ndaj këtyre njerëzve, përse nuk denoncohet dhe nuk ndëshkohet korrupsioni nga Prokuroria e Përgjithshme. Dhe e gjitha kjo për shkak të lidhjeve dhe pengjeve që këta ish ministra kishin në prokurori. Provat ekzistonin dhe Kryeministri ka folur për biseda të interceptuara telefonike, ku ish ministri i Brendshëm u thotë bashkëpunëtorëve të tij në krim mos kini merak, se nuk na dënon Prokurori i Përgjithshëm, sepse e kam rregulluar këtë punë vetë më të. Sot, në një intervistë publike, ish ministri i Brendshëm u tha shqiptarëve se kjo është e vërtetë, unë e kam bërë këtë bisedë telefonike me ish bashkëpunëtorin tim, por kjo nuk ka ndonjë gjë të keqe, në fund të fundit, njohjet miqësore që kemi me Prokurorin e Përgjithshëm nuk kemi pse i mohojmë, e keqja është se kete e ka marrë vesh publiku shqiptar dhe Kryeministri i vendit. Një person nën hetim, një person ndaj të cilit Prokurori i Përgjithshëm duhet të vepronte me kohë, paska në xhep Prokurorin e Përgjithshëm dhe u thotë, sot, shqiptarëve se kjo nuk është gjë e keqe. Por nuk ka gjë më të keqe se kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këtë të jetë i bindur ai dhe Prokurori i Përgjithshëm, sepse ne të gjithë jemi të bindur.
Në qoftë se, sot, në rrugën tonë të integrimit me BE-në ka një pengesë madhore, kjo është pengesa që na vjen nga drejtësia dhe prokuroria. Mungesa e vullnetit për të luftuar krimin dhe për të ndëshkuar korrupsionin, vjen nga disa segmente të rëndësishme të këtyrë institucioneve. Nuk është prokuroria dhe drejtësia që kërkojnë të mbrojnë krimin, por disa drejtues të këtyre institucioneve, janë ata njerëz të majmur nga sistemi i korrupsionit, të majmur nga bashkëpunimi me krimin, nga ortakëria me të dhe që nuk duan të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Prandaj, sot, më shumë se kurrë Igli Toskës apo të gjithë ish ministrave të tjerë, Prokurorit të Përgjithshëm apo dhe ofiqarëve të lartë në sistemin e drejtësisë, në KLD, e të tjerë ne duhet t'u themi: sistemi nuk ka vend për ju. Ju jeni hedhurina të tij. Ju duhet t'i largoheni sa më shpejt këtij sistemi. Ndryshe shpresa e shqiptareve për t'iu bashkuar me shpejtësi familjes evropiane venitet. Ndryshe ndihma e madhe pozitive e familjes evropiane, optimizmi i saj për arritjet tona gjatë këtij viti fillon e vihet në dyshim. Prandaj edhe përpjekja jonë, thirrja jonë publike, sensibilizimi ynë për problemet e drejtësisë dhe kapërcimin e shpejtë të tyre është e rëndësishme dhe urgjente.
Ne kemi patur mundësi në këto një vit e disa muaj të punojmë nën moton e krijimit dhe të mbajtjes së një qeverie të shërbimit dhe shërbesave. Ne kemi punuar me ndershmëri dhe përkushtim, kemi kryer detyrat tona nën moton se ajo që ne bëjmë, ajo që ne prodhojmë është e gjitha për ju dhe jo për ne. Ne kemi mundur gjatë kësaj periudhe të tregojmë se kush mendon për qytetarët, merr dhe vlerësimin e tyre, kush mendon për qytetarët, u jep produkt atyre, ka mundësi të rrisë shpejt ekonomine e vendit, t'ua lehtësojë hallet dhe t'ua përmirësojë jetën qytetarëve.
Të jeni të sigurtë se unë kam ardhur, sot, këtu për të përcjellë këtë mesazh të Kryeministrit, i cili kishte shumë dëshirë të vinte t'ua thoshte vetë. Në qoftë se në një vit e gjysëm ju keni parë e ndjerë këtë përkushtim dhe këto rezultate, të jeni të sigurtë se ne nuk na lëviz asgjë nga përkushtimi dhe përpjekja jonë për të arritur këto rezultate jo më në një vit tjetër, jo më në një mandat, por në dy, tre dhe në aq mandate sa doni ju të na jepni. Ne do të jemi këtu për ju."