Në deklaratën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti edhe vendimin e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. "Përshëndes vendimin e djeshëm të Bashkimit Evropi
Në deklaratën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti edhe vendimin e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
"Përshëndes vendimin e djeshëm të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët, si një hap realisht i rëndësishëm dhe shumë i mirëpritur në procesin e integrimit të vendit dhe në gëzimin e një prej të drejtave më themelore të qytetarëve të lirë, qytetarëve europianë, në ridimensionimin e lëvizjes së lirë.
Sikundër dua të ftoj shqiptarët që të tregojnë mirëkuptim se lufta kundër krimit të organizuar është themelore për progresin në këtë drejtim. Ne duhet të përpiqemi të bëhemi si ata dhe jo ata të bëhen si ne. Në këtë aspekt, dua tju siguroj se shoqëritë e tyre, ndonëse jo të përjashtuara nga krimi, por me një shkallë kriminaliteti shumë herë më të ulët, kanë një jetë shumë më të sigurtë. Ndaj dhe lufta kundër kriminalitetit në vendin tonë duhet të mbetet një përparësi absolute, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të qarkullojnë dhe të fitojnë të drejta më të mëdha për lëvizjen e lirë.
Gjithashtu dëshiroj të përshëndes deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jaap de Hoop Scheffer, lidhur me mesazhin pozitiv që dërgoi drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndonëse nuk do të jemi të ftuar në Samitin e Rigës, për faktin se ky samit, siç është bërë e ditur, i kushtohet çeshtjeve të brendshme të reformimit të Aleancës, do të marrim sinjale pozitive që, mbi bazën e realizimeve konkrete, të mund të ftohen në vitin 2008. Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje që të jetë një prej vendeve që do të ftohet në vitin 2008.
Ju faleminderit"