Gjejnë armën në mbeturina, një adoleshent plagos tjetrin në kraharor
GRAMSH/ Dy shokë kanë gjetur një kallashnikov dhe kanë luajtur me të duke u plagosur
GRAMSH - Po luanin me një automatik të gjetur mes mbeturinave, por plagos rëndë shokun. Burime të policisë bëjnë të ditur se një 15-vjeçar me inicialet E.A. ka plagosur me automatik T.Rr. 16 vjeç me banim në këtë qytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në lagjen "Agjencia" të Gramshit, ku pasi kishin gërrmuar mes rrënojave të magazinave, dy adoleshentët kanë gjetur një automatik dhe kanë filluar ta shkrepin pa e ditur se ishte me fishekë. Një shkrepje ka mjaftuar që 16-vjeçari të marrë një plagë në kraharor. Aktualisht gjendja e të plagosurit paraqitet mjaft e rëndë.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia, ekspertët dhe një grup hetimor. Nga hetimet paraprake rezulton se gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia, ndaj ngjarja është klasifikuar si aksidentale. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një armë automatike, tip kallashnikov. Për të zbardhur të vërtetën policia ka marrë në pyetje adoleshentin.
Nga deklarata e 15-vjeçarit u mësua se arma është gjetur në rrënojat e magazinave afër uzinës së baterive. Arma e vjetër është shkrepur pa dashje nga i mituri duke qëlluar shokun e tij të ngushtë. Gramshi është cilësuar si zona me më shumë armë në Shqipëri për shkak të uzinës së Çekinit dhe të poligoneve ku ruhen armatimet. Automatiku i gjetur mendohet të jetë një mbetje i trazirave të vitit 1997.
E kthen shteti grek, arrestohet në Shqipëri
KAKAVIJË- Kthehet nga policia greke si deportiv dhe arrestohet pasi rezulton të ketë organizuar trafikun e paligjshëm. Një 42- vjeçar nga Berati është prangosur me akuzën "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit". Mësohet se Artur Muçaj, së bashku me tre shtetas të tjerë po nga Berati, janë kthyer nga policia greke në Kakavijë si deportivë.
"Nga informacionet e marra në rrugë operative nga specialistët e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, intervistimi i shtetasve deportivë dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Artur Muçaj më datën 12.10.2009, në orët e mbrëmjes, i kishte ndihmuar këta 3 shtetas për të kaluar kufirin jeshil në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek kundrejt fitimit 300 euro për person", bëjnë të ditur burimet zyrtare të policisë. E.Bani