Gjekmarkaj e Bardhi takime në Bundestag: Opozita kërkon qeveri teknike

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i kësaj force politike, Agron Gjekmarkaj, janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Bundestag në Gjermani. Përfaqësuesit e PD, u takuan sot në Bundestagun gjerman me Josip Juratoviç, kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri-Gjermani dhe me Tomas Haker, zv/kryetar.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj bëri të ditur se i ka njohur dy zyrtarët gjermanë me kërkesën e opozitës për qeveri teknike.
“Shpreha të vërtetën e shqiptarëve që integrimin në Bashkimin e Europian e shohin si të vetmen rruge duke gjykuar nga përkatësia historike, kulturore, shpirtërore e politike”, shkruan Gjekmarkaj.
“Njoha miqtë me disa nga shqetësimet tona kryesore si mos përmbyllja e një reforme zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si parakusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Në këtë kontekst, opozita kërkon Qeveri Teknike si në Greqi apo Maqedoni meqenëse klima e mirëbesimit mes palëve është cenuar, mundësisht futjen e saj në kushtetutë”, vijon Gjekmarkaj.
“I informova bashkëbiseduesit për arrestimin e liderit të opozitës, prof. dr. Sali Berisha, person me emrin e të cilit lidhen disa arritje madhore të vendit tonë, si pluralizmi, shteti i së drejtës, Shqipëria në NATO dhe pa viza, marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, modernizmi i infrastrukturës, mos ndryshimi i kufijve të Kosovës. Kërkova që ky proces të monitorohet ndërkombëtarisht”, bën të ditur Gjekmarkaj.
“Një politikani nuk mund t’i mohohet përfaqësimi pa vendim gjykate të formës së prerë, siç e tha dje edhe një personalitet europian, z. Elmar Brok, në Tiranë. Cenimi i legalitetit të opozitës duke marrë peng vulën dhe simbolet e saj, kërkon një reagim ndërkombëtar në mënyrë që drejtësia të shprehet, të dale me një vendim në mënyrë që Opozita të shkojë në zgjedhje në kushte relativisht të barabarta dhe jo me këmbë, gojë e duar të lidhura! E gjej të nevojshme ti rikthehem kërkesës që Bundestagu të riaktivizojë misionin e saj faktmbledhës i cili ka patur gjykimet më të sakta se asnjë vend tjetër për Shqipërinë”, përfundon Gjekmarkaj.
1 nga 2/a.f/r.e/