E Premte, 6 Nëntor 2026

Kaçi: Mbi 37 % e dëmeve zgjidhen me marrëveshje mes drejtuesve të mjeteve

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Tregjet nën mbikëqyrje ecën në një trajektore të stabilizuar zhvillimi dhe rritje, me tregues të mirë të shëndetit financiar.

Drejtoresha ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi bëri të ditur sot, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se në fund të vitit 2023, totali i aseteve të tregjeve nën mbikëqyrje shënoi vlerën prej rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.

Kaçi theksoi se gjatë vitit 2023, 37.6 % të rasteve për dëmet e trajtuara janë zgjidhur me marrëveshje mes drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident, në rastet e dëmeve me vlerë deri në 30 mijë lekë, duke sjellë njëkohësisht edhe reduktim të dokumenteve për praktikat e dëmeve.

Kjo praktikë u zbatua në kuadër të Raportit Europian të Aksidenteve, si një nga risitë e ndryshimeve ligjore të vitit 2021.

Kaçi vuri në dukje se aktivet e tregut të sigurimeve u rritën me rreth 7 miliardë lekë, me një rritje prej 16 % krahasuar me vitin 2022. Rritje u shënua edhe sa i përket nivelit të provigjoneve teknike me rreth 1.49 miliard lekë, si dhe u përmirësua më tej treguesi kyç i mbulimit të provigjoneve teknike me aktive të përshtatshme.

Sipas saj, primet e shkruara bruto arritën në rreth 23 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 8.9%. Rritje shënuan edhe dëmet e paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit, duke arritur në 6.9 miliardë lekë.

Ajo foli dhe për rritje të primit të shkruar bruto për frymë.

“Primi i shkruar bruto për frymë është 76 euro në fund të vitit 2023, nga 50 euro që ishte në fund të 2019-ës. Në një hark kohor 4-vjeçar rritje me mbi 40 %”, tha ajo.

Sipas Kaçit, ndryshimet e ndërmarra në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në treg.

Gjatë vitit 2023, sipas saj, rezulton se rreth 75% e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara, ose të paidentifikuara, janë trajtuar dhe paguar drejtpërdrejtë nga shoqëritë e sigurimit.

Kaçi informoi se pranë AMF-së ka një aplikim për një shoqëri të re në tregun e sigurimeve, kompani kjo me kapital të huaj nga një vend i BE-së.

Kryetarja e AMF-së deklaroi se janë marrë masa edhe në kuadër të edukimit financiar.

“Kemi dizejnuar dhe brenda muajit qershor planifikojmë takime në institucione publike për t’i informuar lidhur me lehtësitë fiskale që përfitojnë punonjësit duke u bërë anëtarë në skemat private të pensioneve”, theksoi ajo.

Një tjetër çështje thelbësore në këtë treg është shtrirja e sigurimit në fushën e bujqësisë, të cilën Kaçi e cilësoi si të vështirë.

“Sigurimi në bujqësi është i vështirë dhe i kushtueshëm, pasi risku është i lartë dhe numrat e vegjël. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se kërkon bashkëpunim dhe ndërveprim ndërinstitucional, përfshirë ndoshta edhe institucionet shtetërore”, deklaroi Kaçi.

1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›