Gjekmarkaj takim në Milot: Rotacioni është i pashmangshëm

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj zhvilloi sot një takim me qytetarë të Milotit dhe Kurbinit, nga ku kërkoi votën e tyre për PD-në.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, Gjekmarkaj thotë se takimi me qytetarët ishte entuziast, teksa thekson se tashmë ka ardhur koha për ndryshim.
“Miloti dikur ishte një qendër e zhvilluar tregtare, një qytet i gjallë, me shpresë dhe perspektivë. Por prej 12 vitesh është lënë në harresë nga një qeveri që kujdeset vetëm për oligarkët dhe miqtë e saj! Çfarë ka sot Miloti? Rrugë të prishura, mungesë energjie dhe infrastrukturë të shkatërruar! Shëndetësi të falimentuar, ekonomi të rrënuar dhe papunësi ekstreme! Një treg të shkatërruar, ku fermerët dhe tregtarët mezi mbijetojnë dhe shëndeti rrezikohet! Një qeveri dhe bashki që shantazhon me asistencën sociale dhe patronazhistët e saj!”, tha Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj renditi disa nga pikat e programit të PD-së për këto zgjedhje.
“Pensione jo më pak se 200 euro! Minimum jetik 200 euro! Rrogë minimale 500 euro! Rrogë mesatare 1200 euro! 160 milionë euro mbështetje për bujqësinë dhe fermerët! Rrogat më të larta në rajon për mësuesit, pedagogët dhe mjekët! Ne nuk premtojmë mrekulli, por garantojmë dinjitet!”, tha Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj tha se “rotacioni është i pashmangshëm dhe se korrupsioni do të marrë fund!”.
/r.e/